Ndaloi makinën që rrezikoi jetën e qytetarëve në qendër të Tiranës, flet heroi i ditës
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur mesditën e sotme në sheshin “Skënderbej”. Teksa e gjithë vëmendja ishte e përqendruar te zgjedhjet parlamentare, një makinë është futur në sheshin Skënderbej, dhe ka rrezikuar të përplasë qytetarët.
Megjithatë, ai arriti të ndalej nga një i ri që quhet Klodi dhe mund të konsiderohet heroi i ditës. Klodi deklaroi se arriti të futej në makinë duke u hedhur me të dyja këmbët nga dera e pasagjerit dhe duke neutralizuar më pas shoferin.
“Erdhi një makinë e aksidentuar drejt turmës së njerëzve në një mënyrë shumë të rrezikshme. Iu hodha me të dyja këmbët në xham, nga dera e pasagjerit, dhe e neutralizova për momentin. E mbajtën qytetarët, policia, se di kush ka qenë tjetër. Hedhjen nuk e di si e bëra. E ndjeva, e bëra! Më shtyu jeta e njerëzve të pafajshëm, nuk meriton askush që të vdesë në sheshin Skënderbej pa asnjë arsye. I kam rënë me dy këmbët në fytyrë dhe është shtrirë, pastaj e kanë kapur. Makina ishte në ecje”, deklaroi Klodi, i riu i cili parandaloi një ngjarje që mund të kishte marrë përmasa fatale.