May 3, 2024
Shqipëri

Marin Mema: Një pikë loti për 217 shqiptarë të pafajshëm

Shkruan: Marin Mema

Kur preka për herë të parë dëshmitë e frikshme të masakrës së kryer ne fshatin Hormovë pranë Tepelenës në 1914 nga ushtria dhe andartët grekë, nuk mund të mos tronditesha.

Ishin masakra të kryera në vazhdën e shumë të tillave të bëra në atë periudhë në jug e juglindje të Shqipërisë nën ëndrrën e madhe ekstremiste të të ashtuquajturit “Vorio Epir”.

U ndala në vitin 2012, për të parë nga pranë lapidarin e ngritur prej periudhës së komunizmit në përkujtim të ngjarjes ku 217 civilë mbetën të vrarë. Siç mësova, disa vjet para ndalesës time, diku në 2008, pllaka ishte ndryshuar. Me vullnetin e Athinës, prefektit Spiro Ksera dhe zgjatimeve të tija shqiptare, fjala “grekë” ishte hequr fare. Teksti kishte mbetur i cunguar duke e lidhur masakrën vetëm me bandat shoviniste, por se cilat ishin këto banda, gjithçka ishte fshirë. Pra kushdo që ndalej për ta parë lapidarin, nuk mund të kuptonte aspak, se kush e kishte përgjegjësinë e kësaj masakre të 1914.

Pse ndodhte kjo ? Sepse në të njëjtën periudhë të vitit 2008 ishte nënshkruar marrëveshja për ngritjen e varrezave greke në Këlcyrë dhe rruga që të çon drejt tyre kalon domosdoshmërisht krah memorialit ku ishin masakruar shqiptarët. Ndaj u fshi historia e Hormovës dhe u bë gati ajo e re e varrezave të ushtarëve grekë, për të cilat siç dëshmuan edhe zyrtarisht autoritetet shqiptare u rrëmbyen eshtra te vjetra shqiptarësh e deri kafshësh.

Megjithatë si përgjigje, forumi “Djemtë e Gjirokastrës” në 2011 reagoi fort, ndërsa në 2014 bënë të mundur rivendosjen edhe njëherë të pllakës me tekstin e plotë si më parë. Kjo i dha vërtetësinë që kishin kërkuar ta zhduknin në mënyrë brutale. Ishin miqtë Albi Koçi, Rahman Boci, Genti Labi, Taulant Likaj, Marin Ponde, Sefer e Aleksandër Basho e disa banorë që rikthyen të vërtetën në udhën e saj.

Në qershorin e vitit 2020 ish luftëtari i UÇK dhe djali i krahinës fqinje të Mallakastrës Meçan Zotaj mbështetur nga një grup veteranësh të UÇK, mori nismëm për ndërtimin në të njëjtin vend të një memoriali shumë më të denjë në përkujtim të viktimave. Për më tepër do të vendosej edhe një basorelief i realizuar nga skulptori Fiqiri Kasa.

Shumë patriotë të tjerë nga jugu në veri të trojeve shqiptare u renditën krah tij, Gëzim Osmani, Arben Tena, Aristotel Petro, Gent Labi, Ilir Dedaj, Florjan Canaj, Frrok Bardhi, Arben Kola, Abedin Mehmeti, Naim Kokona, Sino Groshi, Sikti Dhromi, Rebani Qyrdedi, Abdyl Neziri, Berat Rexhepi, Esat Ahmeti, Nahil Ramadani, Valmir Ferizaj, Luan Xhemajli, Elis Zotaj, Artilier Metohu, e shumë e shumë të tjerë. Kërkoj ndjesë për ata që nuk kam listuar sepse janë shumë dhe të gjithë u bënë pjesë në forma të ndryshme. Pa harruar mbështetjen e fortë të gazetares së njohur Aida Shtino.

Projekti ishte shumë i mirë, punimet nisën, por vetëm pak kohë më pas gjithçka u ndalua nga autoritetet edhe pse ato më parë e kishin mbështetur. Cila ishte arsyeja ? Ajo u lidh me vonesa në letra, me procedura, projekte, me mos pajisjen me leje, zvarritje etj etj dhe gjithçka mbeti aty. Asgjë nuk lëvizi më.

Vetëm pak javë më parë për të mbuluar punimet që mbetën në mes, memoriali u vesh me pllaka. E pavarësisht kësaj sipërmi ende duken fijet e hekurit ku do të vendosej shqiponja. Fotografia e projektit mund të dallohet lehtësisht mes tyre. Basoreliefi nuk u vendos kurre dhe i gjithë projekti mbeti në vend.

Ai nuk kishte asnjë përmbajtje ekstreme, asnjë thirrje për urrejtje, asnjë britëm të çmendur. Teksti i pllakatës do të qëndronte i njëjtë, por realizimi i memorialit, do ti mundësonte një pamje shumë më të denjë. Aty nuk do të ndodhte asgjë më shumë se një përkujtim, do të derdhej një pikë lot. Një pikë lot për 217 shqiptarë sepse edhe ata kanë të drejtë të përkujtohen denjësisht. Përkujtimi i viktimave civile ndodh kudo në vendet e zhvilluara në botë dhe kjo nuk ka pse të shqetësojë askënd. Memoriali ende pret.