Kryetari i Këshillit Komunal të Çairit, Muhamed Murtezi, ka shprehur keqardhje për mungesën e përfaqësuesve të bllokut opozitar shqiptar në Panairin e Librit Shqip SHKUPI 2026, duke vlerësuar se një ngjarje e tillë kulturore meritonte vëmendje dhe mbështetje më të madhe.

Në reagimin e tij pas përfundimit të panairit, Murtezi theksoi se pjesëmarrja e madhe e qytetarëve dhe interesimi i jashtëzakonshëm për librin shqip dëshmuan rëndësinë që kishte kjo ngjarje për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

“Botuesit shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, si dhe libri shqip i ekspozuar në stendat e tyre, kanë merituar një kujdes më të madh, trajtim më të mirë dhe qasje më serioze”, deklaroi Murtezi, duke aluduar në mungesën e figurave të rëndësishme politike të opozitës.

Ai vlerësoi se Panairi i Librit Shqip dëshmoi se Shkupit i kishte munguar prej kohësh një ngjarje e tillë kulturore, ndërsa interesimi i madh i publikut përbën nxitje që organizimi të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme në përmasa edhe më të mëdha.

Panairi i Librit Shqip SHKUPI 2026 u mbajt për katër ditë në Sheshin “Skënderbeu”, duke mbledhur dhjetëra botues e autorë dhe mijëra vizitorë nga mbarë vendi.

sqShqip