Ka shumë mjekë në fusha komerciale, pra më të famshme, ndërsa më pak ka në profile të nevojshmet, thotë ministri i shëndetësisë Azir Aliu, duke treguar se Ministria ka nisur të bëjë analizën e të dhënave të të punësuarve në shëndetësi dhe krijimin e politikave për punësime të reja. Me këtë synohet të krijohen politika shëndetësore bazuar në të dhëna të sakta dhe të azhurnuara në kohë.
“Kjo nuk është vetëm qasja ime si Ministër i Shëndetësisë, por më tepër qasja e qeverisë, do të duhet të krijojmë një sistem shëndetësor që është i pajtueshëm me infrastrukturën tonë. Fatkeqësisht, nuk ka qenë kështu deri më tani, do t’i shihni shifrat, nuk dua të hyj në detaje tani në mënyrë që të mos rezultojë se po kritikoj një specializim të caktuar në kujdesin shëndetësor, do të shihni se kemi një numër të madh mjekësh në fusha që janë më komerciale, dhe kemi më pak në profile që nuk janë të nevojshme në sistemin e kujdesit shëndetësor”, tha Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë.
Në të ardhmen, kur të hapen vendet e lira të punës në shëndetësi, Aliu tha se do të bazohen në tabelën e krijuar se për çfarë profile dhe në cilat vende ka nevojë.
“Si Ministri e Shëndetësisë, po hapim vende të lira për specializime, ajo periudhë do të vijë së shpejti, ndoshta pas një muaji ose një muaji e gjysmë, do të shihni që të gjitha vendet e lira që do të hapim do të bazohen në këtë tabelë, nuk do të bazohen në një telefonatë të tipit dua të jetë fëmija im, nuk e di, ky apo ai mjek”, deklaroi Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë.
Numri i të punësuarve në shëndetësi është 32,383, prej të cilëve 18.536 janë në institucione publike, ndërsa 13,842 në ato private.

