May 28, 2024
Maqedoni

Muftinia e BFI-Gostivar mbajti Manifestimin Qendror për hir të Natës së Kadrit

Në Xhaminë e Kadrit në Gostivar, për Natën e 27-të të Muajit Ramazan, konkretisht Natën e Kadrit, u realizua solemnitet fetar. Kori i Muftinisë së Gostivarit solli një program të bukur me ilahi dhe kaside ku’ranore.

Në këtë manifestim përpos xhematit, hoxhallarëve të Xhamisë së Kadrit në Gostivar, pjesëmarrës ishte edhe një delegacion nga Muftinia e BFI – Gostivar, në krye me Muftiun H. Sabahudin ef. Zendeli i shoqëruar nga stafi i tij. Për të nderuar në nivel qendror këtë manifestim, prezent ishte Reisul Ulema i BFI e RMV, H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu, i shoqëruar nga sekretari gjeneral i BFI, H. Irsal ef. Jakupi, koordinatori i SHMI Medreseja ISA BEU – Paralelja e Vajzave në Gostivar, Prof. Afrim ef. Alija, Prof. Dr. Shinazi ef. Memedi, Mr. Sulejman ef. Idrizi, hoxhallarët e xhamisë, këshilli i xhamisë, besimtarë e mysafirë tjerë. Në fillim fjalë përshëndetëse pati muderizi i kësaj xhamie, Prof. Dr. Abdulxhemil ef. Nesimi, i cili pasi dëshiroi mirëseardhje falënderoi të pranishmit për këtë ambient impozant. Në fjalën e tij hyrëse, Muftiu H. Sabahudin ef. Zendeli, potencoi faktin se Nata e Kadrit është më e vlefshme se 1000 muaj, ndaj sqaroi se natën e sontme besimtarët duhet ta kalojnë me namaz e lutje. Fjalën e rastit e kishte Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai i cili tha se Allahu i Madhërishëm na ka dhënë Ramazanin me shumë mirësi, e varet nga njeriu sa e shfrytëzon atë.

Falënderojmë muderizin, imamët, muezinin dhe Këshillin e Xhamisë së Natës së Kadrit për mikëpritjen e ngrohtë. Reisul Ulemaja dhe Muftiu H. Sabahudin ef. Zendeli dhanë deklaratë edhe para mediave lokale të Gostivarit.