Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, mori pjesë dhe foli në Këshillin Ministror të OSBE-së që po mbahet në Vjenë, kryeqytetin e Austrisë.

Sipas një njoftimi të Ministrisë, në fjalën e tij ai u fokusua te sfidat e sigurisë me të cilat përballet rajoni i OSBE-së dhe gjendja aktuale brenda Organizatës, duke theksuar pasojat serioze të agresionit rus kundër Ukrainës në sigurinë rajonale.

Mucunski kërkoi tejkalimin e krizës strukturore në OSBE dhe theksoi nevojën për funksionim të parashikueshëm të Organizatës.

“Kemi nevojë për një Organizatë moderne, elastike, të orientuar drejt kontekstit aktual. OSBE-ja, si themeli i sigurisë bashkëpunuese, është e gatshme të mbështesë në mënyrë aktive paqen dhe të luajë një rol të spikatur në rimëkëmbjen e Ukrainës”, nënvizoi Mucunski.

Ministri theksoi rëndësinë e misioneve në terren të OSBE-së dhe paralajmëroi se mungesa e vullnetit politik për mbështetjen e agjendës së tyre strategjike paraqet “shkurtpamësi strategjike”.

Ai vuri në dukje se Maqedonia e Veriut ka treguar përkushtim të qartë ndaj aspiratave evropiane.

Mucunski foli edhe për rolin e Misionit të OSBE-së në Shkup, duke theksuar se angazhimi i tij i ardhshëm duhet të korrespondojë me realitetin dhe mjedisin e ri në të cilin vepron OSBE-ja në vend, duke marrë parasysh hapin përpara në prioritetet strategjike, progresin e reformave dhe pjekurinë institucionale.

sqShqip