Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar për një rast të ri mashtrimi në Shkup, ku një grua 71-vjeçare ka humbur 36.300 euro pas një skenari të rremë për një “aksident trafiku”, raporton alfax.mk.
Sipas MPB-së, më 16 tetor 2025, rreth orës 17:20, viktima është kontaktuar telefonikisht nga një person që është prezantuar si zyrtar policor, i cili i ka thënë se vajza e saj kishte shkaktuar një aksident të rëndë dhe se për të shpëtuar jetën e saj duhej të paguheshin para për një operacion urgjent.
Më pas, gruaja është kontaktuar sërish nga një person tjetër që është paraqitur si mjek, i cili i ka dhënë udhëzime se ku t’i dorëzonte paratë. Pas kësaj, ajo ka kuptuar se ishte mashtruar dhe ka njoftuar policinë.
Nga MPB bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e autorëve të këtij mashtrimi, ndërsa apelojnë te qytetarët që të jenë të kujdesshëm ndaj thirrjeve të tilla telefonike dhe të mos dorëzojnë para pa verifikim zyrtar.