“Monstra”, Aziri: Supremja na dënoi me urdhër të kryeminsitrit Kovaçevski (Video)
Fejzi Aziri, i dënuar në rastin “Monstra” me 15 vite burg, ka akuzuar kryeministrin Dimitar Kovaçevski se ka ndikuar që Gjykata Supreme të hedh poshtë ankesat e të dënuarve për vrasjen e pesëfishtë në afërsi të Liqenit të Smilkovës në vitin 2012 dhe ta lë në fuqi aktvendimin e Gjykatës së Apelit. Supremja vendimin e tillë e ka marrë muajin e kaluar, ndërsa Aziri thotë se drejtësinë do ta kërkojë në Gjykatën evropiane për të drejtat e njeriut, në Strazburg.
“Ne jemi të zhgënjyer fillimisht nga politika maqedonase sepse maqedonasit gjithmonë “lahen” me rastin “Monstra”. Zoran Zaevi tha këta janë të pafajshëm, flenë të pafajshëm në burg, kur erdh rasti tani, ka intervenuar direkt Kovaçevski që të na vërtetohet dënimi në shkallën e tretë, në supreme sepse kryetarja e gjykatës supreme i ka thënë avokatit tim ende pa e marrë lëndën për ta parë se çka shkruan aty, i ka thënë se nëse vjen tek unë kam për ta vërtetuar. Dmth ajo e ka marrë porosinë për ta vërtetuar këtë lëndë. Por ne nuk do t’i humbin shpresat kemi me procedur në Strazburg”, tha Aziri në një intervistë në Alsat.