Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka folur për rezultatin që morën në zgjedhjet lokale, pasi nuk fituan në asnjë komunë me tre kandidatët që i patën për kryetar të komunave në Prishtinë, Kamenicë dhe Deçan.

Në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, ai ka theksuar se përkundër rezultatit që morën, nuk do të ndalen së punuari.

“Përkundër rrethanave dhe përkundër mbështetjes shumë të vogël, pasi nuk e morëm asnjë komunë në zgjedhjet komunale, besoj që fuqia e angazhimit tonë buron krejtësisht prej bindjeve të thella që i kemi dhe nuk do të na shihni kurrë të ndalemi”, tha Molliqaj.

Ai ka thënë se në këto zgjedhje qytetarët e kuptuan se PSD ka ide dhe nuk është parti “satelit” e subjekteve tjera politike.

“Ne e kuptuam se PSD-ja, përkundër që është parti e vogël dhe pati tre kandidatë që u imponuan për shkak të temave, secili e ka ditur se Besa, Qëndroni dhe Natyra po kandidonin, secili i ka pëlqyer fushatat tona. Por nuk mjafton vetëm ta pëlqesh; njerëzit duhet të ndërtojnë lidhje me ta për ato çështje”.

“Besoj se ajo çfarë ka fituar PSD-ja, që për mua është shumë e vlefshme, është kuptuar se PSD-ja nuk është as satelit i partive opozitare, dhe as satelit i Lëvizjes Vetëvendosje, siç tentuan të na thonin kah fundi. Jemi me vete, i kemi idetë tona, dhe njerëzit kanë filluar të shohin se PSD-ja nuk është vetëm çështje e inateve, por ka edhe ide”, ka thënë Molliqaj. /Klankosova.tv

sqShqip