May 11, 2024
Maqedoni

Ministria e financave nuk do të vendosë më për punësimet por secili institucion per vete

Nga 1 janari, Ministria e Financave nuk do të japë më pëlqimin për punësim, por drejtuesit e institucioneve buxhetore të shtetit do të vendosin vetë në përputhje me planin financiar vjetor dhe rishikimin e punësimit.

Që kjo të hyjë në fuqi, së pari duhet të miratohet Ligji për Buxhetin dhe Ligji për zbatimin e Buxhetit. Që të bëhet një punësim të ri, titullari i institucionit duhet të paraqesë një deklaratë në Agjencinë e Punësimit ose në Agjencinë e Nëpunësve Civil, në të cilën do të konfirmojë me përgjegjësi të plotë materiale dhe penale se janë siguruar mjete për punësimin e ri në buxhetin e institucionit. Sipas ministrit të Financave, Fatmir Besimi, kontrolli i procesit të punësimit do të jetë plani financiar dhe rishikimi i punësimit, të cilat do të miratohen nga Qeveria çdo vit.

Shpërdorimet e eventuale do të mund të raportohen nga vetë punonjësit, ndërsa për deklaratë të gabuar udhëheqësi do të ndiqet penalisht nga prokuroria publike dhe gjykatat.

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu vlerëson se në rast se miratohen ndryshimet në Ligjin për Buxhet, që ndër të tjera parashikojnë që Ministria e Financave mos të vendos për punësime në sektorin publik, përfundimisht do të përmirësohet procesi ose ambienti në administratën publike. Aliu tha se në këtë mënyrë nuk do të abuzohet me numrin e të punësuarve në administratë por secili institucion publik do të realizojë punësime varësisht nevojës dhe buxhetit të paraparë.

“Definitivisht do të përmirësoj procesin ose ambientin në administratën publike për dy arsye. Arsyeja e parë është humbja ose një procedurë e cila ishte jashtëzakonisht shumë e ngarkuar brenda për brenda dhe kërkonte shumë kohë që një institucion të arrin të punëson një punëtor brenda. Pastaj shtrohet pyetja a do të abuzohet me numrin e të punësuarve. Nuk mund të abuzohet pasi që drejtori do të mund të punësoj aq sa ka buxhet për atë vit brenda përndryshe do të ketë sanksione ligjore nëse e tejkalon numrin e të punësuarve në administratë”, deklaroi Azir Aliu, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Ministri Aliu foli edhe për digjitalizimin në administratën publike. Sipas tij, nëpërmjet digjitalizimit anashkalohet faktori njeri ndërsa procesi do të realizohet në mënyrë transparente.

“Mos të them se do të kemi zero korrupsion, mirëpo korrupsioni do të vështirësohet. Faktikisht ai administrator që planifikon të bëj çrregullime në sistem do ta ketë shumë të vështirë sepse digjitalizimi të jep mundësi për transparencë dhe ndjekje të procesit nga momenti kur procesi hapet e deri në momentin që procesi mbyllet”, shtoi Azir Aliu, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Nëse miratohen ndryshimet në Ligjin për Buxhet, institucionet nuk do të kenë nevojë për firmën e ministrit të Financave për punësime në sektorin publik. Çdo përfitues buxhetor do të duhet të bëjë një plan vjetor punësimi. Ai plan do të duhet të miratohet nga një institucion kompetent, si një ministri, një këshill komunal ndërsa qeveria do të vendosë për një ndërmarrje shtetërore që është duke punuar me humbje.