Ministria e Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut reagoi sot ashpër pas marshit studentor në Shkup, ku u kërkua zbatimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve gjatë dhënies së provimit të jurisprudencës. Nga ministria thonë se e respektojnë të drejtën për protestë, por konsiderojnë se bëhet fjalë për instrumentalizim të studentëve nga ana e opozitës.
Sipas autoriteteve, veçanërisht shqetësues është roli i një partie të caktuar opozitare që përdor çështje të ndjeshme për qëllime afatshkurtra.
“Veprime të tilla ngrenë dyshime për përpjekje për manipulim publik dhe instrumentalizim përmes nxitjes së çështjeve të ndjeshme dhe përdorimit të qartë të retorikës etnike për arritjen e qëllimeve politike afatshkurtra. Në këtë kontekst është e dukshme edhe mungesa e përdorimit të simboleve shtetërore në protestën e sotme, gjë që më tej vë në pikëpyetje kapacitetin demokratik të organizatorëve dhe raportin e tyre ndaj shtetit dhe rendit kushtetues”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Lidhur me kërkesat kryesore, nga ministria janë të prerë se provimi i jurisprudencës zhvillohet sipas ligjit dhe nuk përbën procedurë administrative, por një mekanizëm për cilësi. Ata theksuan se nuk do të lejojnë keqpërdorimin e Kushtetutës për ndikime politike.(INA)

