May 3, 2024
Maqedoni

Ministri i LSDM-së: Zgjedhjet, mënyra e vetme për ta disiplinuar Merkon

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski i ka përcjell një porosi kryetarit të komunës së Strugës, Ramiz Merko, lidhur me çështjen e ndërtimeve pa leje në Liqenin e Ohrit përgjatë territorit të Strugës.

Boçvarski në një pronocim ka theksuar se zgjedhjet po afrohen, prandaj le të vendosin qytetarët, duke aluduar tek kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko.

“Në fund të ditës, të gjithë jemi zgjedhur nga qytetarët, le t’i ruajmë këto vlera. Në secilën nga zgjedhjet e ardhshme, qytetarët do të na dërgojnë mesazh nëse kemi bërë punën tonë me përgjegjësi, pasi ata na kanë dhënë detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre. Ju do t’i drejtoni të gjitha pyetjet e tjera në komunën e Strugës, në planet e tyre dhe si ata planifikojnë të merren me atë që është subjekt i procedurave të caktuara të ndërtesave të ndërtuara në mënyrë të paligjshme në zonat e mbrojtura dhe jashtë tyre”, theksoi ministri Boçvarski.

Nga komuna e Strugës vazhdon heshtja dhe nuk ka përgjigje se si do të zgjidhet kjo çështje dhe si i komentojnë deklaratat e ministrit Boçvarski. Nga shoqatat ekologjike theksuan për Alsat se Merko duhet ti marrë parasysh dhe të mos i injoroj paralajmërimet që vijnë nga të gjitha anët për ndërtimet e paligjshme në komunën e Strugës. “Nëse ka ndërtesa të paligjshme në komunën e Strugës, posaçërisht në zonën e bregut, qofshin ato me ndërtim të fortë apo të përkohshëm, duhet të rrënohen. Është koha për të dëgjuar të gjitha thirrjet që vijnë nga BE-ja dhe UNESCO, që ndërtesat e paligjshme janë kërcënim për rajonin e Ohrit dhe se duhet vepruar menjëherë”, theksoi për Alsat, aktivisti i shoqatave ekologjike, Gjoko Zoroski.