Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, është nderuar me një prej vlerësimeve më prestigjioze ushtarake — përfshirjen në Sallën e Famës (Hall of Fame) të Kolegjit të Luftës të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (US Army War College).
Në ceremoninë e zhvilluar, ku ishte i pranishëm edhe Gjenerali Randy A. George, Shefi i Shtabit të Ushtrisë së SHBA-së, Maqedonci e cilësoi këtë nderim si një “nder jetësor”, duke theksuar se ai reflekton jo vetëm arritjen e tij personale, por edhe përkushtimin e të gjithë atyre me të cilët ka bashkëpunuar gjatë karrierës.
Ai shprehu mirënjohje ndaj Kolegjit të Luftës, mentorëve dhe familjes së tij për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se ky vlerësim e forcon më tej besimin në fuqinë e shërbimit, udhëheqjes dhe mësimit të përjetshëm — vlera që, siç tha ai, “kapërcejnë kufijtë dhe bashkojnë të gjithë ata që i shërbejnë vendit dhe komunitetit të tyre.”