MSh dhe IShP me masë të përbashkët parandaluese për uljen e rreziqeve shëndetësore të të punësuarve

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, dhe drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonovska, sot mbajtën një press-konferencë të përbashkët me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për donacion nga Ministria e Shëndetësisë për Institutin e Shëndetit Publik prej 7.500 vaksinash kundër Hepatitit B, në vlerë të përgjithshme prej 123.450 dollarësh amerikanë, të destinuara për punonjësit shëndetësorë.

“Bëhet fjalë për një masë konkrete parandaluese për zvogëlimin e ekspozimit ndaj rreziqeve shëndetësore të të punësuarve në sistemin shëndetësor, duke forcuar njëkohësisht edhe sigurinë e pacientëve. Me këto sasi do të përfshihen 2.500 punonjës shëndetësorë, me nga tri doza vaksine për person. Vaksinimi do të realizohet në Institutin e Shëndetit Publik dhe në Qendrat e Shëndetit Publik. Përgjegjësia jonë si bartës institucionalë të politikave shëndetësore është të krijojmë kushte që punonjësit shëndetësorë të mos mbeten të vetëm përballë rreziqeve që sjell kryerja e detyrave të tyre, siç janë kontakti me gjak dhe lëngje trupore, lëndimet nga instrumente të mprehta dhe rreziqe të ngjashme. Vaksinat janë siguruar nga Project HOPE – organizatë ndërkombëtare joqeveritare për shëndet global dhe ndihmë humanitare, të cilëve u shprehim falënderim.”,- theksoi ministri Aliu në fjalimin e tij.

Ai shtoi se, në kuadër të angazhimeve për një proces vaksinimi të thjeshtë dhe të qasshëm, Ministria e Shëndetësisë ka përgatitur një modul elektronik për shprehjen e interesit për vaksinim, i cili është i disponueshëm në ueb-faqet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Institutit të Shëndetit Publik.

“Dua të njoftoj gjithashtu se sot po sigurojmë mbështetje shtesë për Institutin e Shëndetit Publik, e cila është e orientuar drejt forcimit të biosigurisë. Bëhet fjalë për kuti transporti ajror dhe detar për materiale infektive, me ç’rast mundësojmë trajtim dhe transport më të sigurt të materialeve infektive në përputhje me protokollet”,- shtoi ministri.

sqShqip