Milot Rashica ende kërkohet nga skuadra e Premier Ligës

Milot Rashica pritet që gjatë afatit kalimtar veror të largohet nga Verder Bremeni. Ylli nga Kosova ishte shumë i kërkuar në verën e vitit 2020, por në fund Verderi nuk mbeti i kënaqur me ofertat dhe vendosi ta mbajë lojtarin nga Kosova. Gjithsesi forma që ka shfaqur Rashica këtë edicion me Verderin është kilometra larg nga ajo e vitit të kaluar dhe çmimi i tij ka rënë dukshëm. Verderi vitin e kaluar kërkonte 30 milionë euro, por tani vlera e vushtrriasit është përgjysmë më e vogël. Skuadra gjermane është gati ta lejoj largimin e Rashicës nëse vije një ofertë prej 15 milionë eurove.

E ardhmja e reprezentuesit kosovar mund të jetë në elitën e futbollit anglez, Ligën Premier ku Aston Villa vazhdon të monitorojë situatën e tij. Por çmimi prej 15 milionë eurove që po kërkon Verderi po vlerësohet si i lartë, pasi Miloti këtë edicion ka realizuar vetëm një gol.

Gjithsesi sulmuesi anësorë vazhdon të jetë në listën e dëshirave edhe të skuadrave gjermane si Herta Berlin, Volfsburg dhe Bajer Leverkuzen. 24-vjeçari këtë edicion ka zhvilluar 18 ndeshje në Bundesliga, ku përveç një golit ka edhe pesë asistime.