Sport

Milani gati për blerje, spanjollët kërkojnë 25 mln euro

Mesfushori 24-vjeçar nga Nigeria, Samuel Çukueze, mbetet një nga objektivat kryesorë të skuadrës së Milanit. Anësori konsiderohet si një përforcim me shumë vlera për skuadrën kuqezi, ndaj trajneri Stefano Pioli i ka kërkuar klubit ta sjellë lojtarin në skuadër (13 gola në 50 ndeshje sezonin e fundit).

Çukueze luan aktualisht me skuadrën e Villareal prej 5 sezonesh, por kontrata skadon pas një viti, ndaj klubi spanjoll kërkon ta shesë duke parë se rinovimi i kontratës është i vështirë. Milani kërkon të përfitojë nga kjo situatë, por mes klubeve ka nisur një duel force për sa i përket shumës së nigerianit.

Skuadra spanjolle është e gatshme ta lërë të lirë lojtarin, por kërkon 25 milionë euro, një shumë që për Milan konsiderohet e lartë. Sipas “Tuttosport”, kuqezinjtë janë gati të paguajnë 15-18 milionë euro, ndaj dhe për momentin nuk ka një marrëveshje konkrete.

Mediat italiane sqarojnë se palët kanë nisur bisedimet edhe pse për momentin marrëveshja duket e vështirë, pasi Villareal nuk pranon të ulë pretendimet e saj financiare. Gjithsesi, lojtari ka shprehur dëshirën të provojë një përvojë në Itali, ndaj kjo mund të ndikojë në gjetjen e zgjidhjes.