May 15, 2024
Maqedoni

Mickovskit i del punë me Kullën e Dëshmorëve në Sllupçan, thotë se është ilegale

Pyetjen për 57 milionë eurot e keqpërdorura për 11 përmendore, nga ana e ish-funksionarëve të partisë së tij, lideri i VMRO DPMNE Hristijan Mickoski e konsideron si defokusim të opinionit. Ai nuk u përgjigj konkretisht, por këto keqpërdorime i krahason me lapidarin që u ngrit vitin e kaluar në Sllupçan të Kumanovës.

Mickoski e quan ilegale “Kullën e Dëshmorëve” e cila u ngrit për nder të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare me mjete të Komunës së Likovës dhe fton prokurorin e rastit Feniks që të ngrit një parahetim për këtë rast dhe monumentet në Zajaz e Kollarë.

“Kishte qenë mirë tani nga kjo konferencë për media të shkoni në Sllupçan me kamera dhe të pyesni aty në Sllupçan kush e ka dhënë lejen për ndërtim, kush e ka financuar dhe si dhe e inkurajoj atë prokuror që të hap të paktën një parahetim ose ndoshta dëshironi të shkojmë në Zajaz, ose në Kollarë ose në disa vende tjera ku ka objekte të atilla jolegale ose ku ka bazë për dyshim për raste më spektakulare nga kjo që shërben për defokus të krimeve të këtyre disa familjeve që sot e kanë robëruar Maqedoninë”, tha Mickoski.

Në lidhje me rastin e lartpërmendur kanë reaguar nga LSDM. Thonë se me 57 milionë eurot e keqpërdorura nga VMRO-DPMNE kanë mund të ndërtohen 33 çerdhe të reja fëmijësh në gjithë vendin.