Kryeministri Hristijan Mickoski pritet që të hënën në Kuvend t’i dorëzojë emrat e ministrave të rinj nga koalicioni VLEN, për t’i plotësuar pozitat që mbetën bosh pas zgjedhjeve lokale. Kryeministri, është i prerë se nuk do të ketë asnjë resor shtesë për VLEN-in.

“Këtë javë do të dihen emrat, por ajo që është e sigurt është se ato resorë, ato portfolio që ishin në qeveri, partitë politike që e përbëjnë koalicionin VLEN do t’i mbajnë. Kështu që, këtu nuk do të ketë ndryshime shtesë, nuk do të ketë sektorë shtesë. Kështu që ajo është në kuadër të koalicionit të përbashkët, ndërsa rreth emrave të hënën do t’i dorëzoj pasi të kristalizohen. Por, ato janë ato emra të cilët poshtë-lartë që qarkullojnë në opinion”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Deri më tani, zyrtarisht dihet se deputeti Bekim Sali do të propozohet për zëvendëskryeministër të parë. Meqë ky titull është joformal, atëherë Sali duhet të mbajë edhe një resor. Për këtë, gjasat janë që ta marrë pozitën e Orhan Murtezanit në Ministrinë për Çështje Evropiane, ndërkohë Murtezani të udhëtojë për në Bruksel si ambasador. Ndërkohë Arben Fetai do të mbetet në pozitën e zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë.

Së fundmi, në kombinatorika është duke u diskutuar edhe pozicioni i ministrit të Shëndetësisë, respektivisht mundësia që Azir Aliu të lëvizë në postin e drejtorit të Agjencisë për Komunikime Elektronike, ndërsa si ministër i Shëndetësisë të propozohet Bashkim Bakiu.

Ndërkohë, derisa pritet që edhe zyrtarisht t’i marrin vendimet të besuarit e qeverisë në katër komunat ku më 11 janar do të ketë votim, Mickoski tha se do të marrin pjesë në këto zgjedhje, megjithatë nuk tregoi nëse do t’i mbështesin kandidatët e koalicionit VLEN.

“VMRO-DPMNE dhe koalicioni do të marrin pjesë në ato zgjedhje, ndërsa në cilën formë, plotësisht do të vendosim”, u shpreh Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Lidhur me pyetjen nëse do të ketë zgjedhje të përgjithshme në periudhën e ardhshme, kryeministri tha “në politikë kurrë mos thuaj kurrë”.

“Nëse do të mendoja politikisht dhe në mënyrë partiake, në interesin tonë është që në pranverë të kemi zgjedhje të parakohshme, por ne duam të mendojmë në mënyrë shtetërore…Në politikë kurrë mos thuaj kurrë, por gjasat për diçka të tillë janë shumë”, theksoi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

sqShqip