Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski deklaroi se Qeveria po ndërmerr masa për të zbutur goditjen e çmimeve të karburanteve, e cila sipas tij është pasojë e krizës globale dhe konflikteve ushtarake në Lindjen e Mesme.

Ai theksoi se rritja e çmimeve të naftës dhe derivateve të saj paraqet një goditje serioze për buxhetet familjare të qytetarëve, duke shtuar se me probleme të ngjashme po përballen edhe shumë shtete evropiane.

“Ne nuk jemi përjashtim nga kriza që po ndodh në botë. Të gjitha shtetet evropiane po përballen me goditje çmimesh te karburantet, ndërsa ekziston edhe rreziku i rritjes së çmimit të energjisë elektrike”, deklaroi Mickoski.

Kryeministri theksoi se Qeveria po e ndjek me kujdes situatën dhe është në koordinim të vazhdueshëm me kompanitë që merren me shpërndarjen e naftës dhe derivateve.

Sipas tij, pavarësisht krizës, shteti deri më tani ka arritur të sigurojë çmime relativisht më të ulëta të karburanteve për qytetarët.

Aktualisht, siç informoi ai, çmimi i benzinës 95 oktan është 86,5 denarë për litër, benzina 98 oktan 88,5 denarë, ndërsa dizeli shitet për 92 denarë për litër.

Megjithatë, bazuar në analizat e lëvizjeve në bursa, ekziston pritja që çmimet mund të rriten ndjeshëm. Sipas përllogaritjeve të Qeverisë, pa ndërhyrje benzina do të shtrenjtohej për rreth 6,5 denarë për litër, ndërsa dizeli për rreth 10,5 denarë.

Kjo do të nënkuptonte që çmimi i benzinës do të arrinte rreth 93,9 denarë për litër, ndërsa dizeli do të ngjitej mbi 102 denarë.

Si përgjigje ndaj kësaj situate, Qeveria ka marrë vendim për uljen e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) për benzinën dhe dizelin nga 18 në 10 për qind.

“Nëse kjo masë merret parasysh, presim që çmimi i benzinës të mbetet i pandryshuar, ndërsa çmimi i dizelit do të rritet për rreth tre deri në tre e gjysmë denarë për litër”, tha Mickoski.

Gjithashtu, ai bëri të ditur se Qeveria ka zhvilluar bisedime me kompaninë OKTA, e cila ka miratuar një zbritje prej dy denarësh për litër për tregtarët e karburanteve.

Kryeministri pret që gjatë ditës të diskutohet për mundësinë e rritjes së kësaj zbritjeje, çka do të sillte një ulje shtesë të çmimeve të benzinës për rreth tre denarë për litër, ndërsa çmimi i dizelit do të mbetej në nivelin aktual prej 92 denarësh.

Në fund, Mickoski theksoi se Qeveria ka përgatitur disa skenarë në rast se kriza vazhdon ose thellohet, me qëllim mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve.

sqShqip