Maqedoni

Mickoski në Uashington në inaugurimin e Trump-it! “Takimet në SHBA do të shfrytëzohen për eurointegrimin”

Qeveria konfirmoi se kryeministri Hristijan Mickoski do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri amerikan, Donald Trump në Uashington. Ai do të jetë i shoqëruar nga zv.kryeministri Izet Mexhiti, ministri Timço Mucunski si dhe zv.ministrja për çështje europiane Viktorija Trajkov. Përveç në inaugurim, Mickoski është i ftuar edhe në ngjarjet tjera.

“Mestjerash, delegacioni i udhëhequr nga kryeministri maqedonas, Mickoski do të marrë pjesë edhe në manifestimin e quajtur “Zërat e lirisë” që do të mbahet pas inagurimit të organizuar nga kompanitë “Trump Media” dhe “Rambl””, thotë Qeveria.

Nga koalicioni VLEN u lëvduan se pjesëmarrja e tyre në këtë ngjarje është provë për lidhjet e fuqishme që i kanë ndërtuar me administratën e re amerikane.

“Forcimi i lidhjeve mes Shkupit dhe Uashingtonit është një garanci për mbështetjen e mëtejshme të procesit të integrimit evropian të vendit tonë, për të cilin liderët e VLEN-it kanë qenë gjithmonë të angazhuar gjatë kohës sa ishin në opozitë edhe tani që janë në pushtet“, thotë VLEN.

Nga Qeveria nuk shpalosën detaje se kush e ka dërguar ftesën zyrtare për pjesëmarrje në inagurimin e Trump-it.
Kumtesa e Qeverisë vijoi pasi që media bullgare “Lupa” publikoi se vizita e Mickoskit është me karakter privat dhe se ai nuk do të marrë pjesë në ngjarjen kryesore. Në këtë publikimin shtohet se Mickoski do të udhëtojë për në Uashington me ftesë të PR kompanisë “Dashp Group” me të cilën VMRO-DPMNE-ja bashkëpunon që në vitin 2015.
Përderisa nuk dihet se e kujt është ftesa për inagurim, në intervistën e fundit ministri Mucunski theksoi se takimet në SHBA do të shfrytëzohen që të përforcohen raportet me administratën e re të Trump-it, por edhe për tu kërkuar mbështetje për eurointegrimin.

“Besoj se përmes moduseve të tyre të funksionimit, mjeteve diplomatike që ato i shfrytëzojnë mund të jenë aktori i katër aktiv në gjetjen e zgjidhjes për këtë sfidë. Natyrisht, tre aktorët kryesor jemi ne, Bullgaria fqinje dhe BE”, deklaroi Mucunski.

Mediat botërore shkruajnë se ftesat për inaugurimin e Trump-it janë më shumë për liderët me ideologji të djathtë, mes tyre edhe presidenti argjentinas Havier Milea, udhëheqësi i Brekzitit.