Sot shënohet 34 vjetori i themelimit të Drejtorisë Doganore – një institucion që luan rol kyç në funksionimin e shtetit, në mbrojtjen e ekonomisë dhe në sigurimin e të ardhurave të qëndrueshme për buxhetin.
Kryeministri Hristijan Mickoski me këtë rast tha se ky përvjetor është një mundësi për të reflektuar mbi atë që është arritur, por edhe më shumë për të nxjerrë në pah rezultatet që kemi.
“Në 20 muajt e fundit, Drejtoria Doganore ka regjistruar rezultatet më të mira në ekzistencën e saj. Deri më tani janë arritur të ardhurat më të larta, gjë që është një tregues i qartë se institucioni po funksionon në mënyrë më efikase, më të organizuar dhe me përgjegjësi më të madhe.
Veçanërisht i rëndësishëm është fakti se për herë të parë është tejkaluar limiti prej 12 miliardë denarësh në të ardhura në një muaj. Ky është një rezultat që nuk vjen rastësisht, por është produkt i një qasjeje sistemike, kontrolleve të përforcuara dhe koordinimit më të mirë”, theksoi Mickoski.
Ai shtoi se këto rezultate janë pjesë e përpjekjeve më të gjera të Qeverisë, e cila ka punuar 20 muaj për të vendosur rendin në institucione, për të zvogëluar ekonominë gri dhe për të rritur efikasitetin e mbledhjes së të ardhurave.
“Kur morëm përsipër, nuk trashëguam një sistem që funksionon pa probleme. Përkundrazi – gjetëm një gjendje kaosi, procese të çrregulluara dhe një strukturë institucionale të dobësuar seriozisht. Një sistem që ishte lënë pas dore dhe i rrënuar për vite me radhë.
Por sot, me të drejtë mund të themi se ajo fazë është kapërcyer. Normalizimi është i plotë. Rendi është vendosur, rregullat janë vendosur dhe institucioni po funksionon përsëri siç duhet – në shërbim të shtetit dhe qytetarëve”, shtoi kryeministri Mickoski, në shënimin e 34 vjetorit të Drejtorisë së Doganave.

