Kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar intensifikimin e aktiviteteve ndërtimore në infrastrukturën rrugore, duke bërë të ditur se në periudhën e ardhshme do të fillojë realizimi i gjashtë segmenteve autostradash në të gjithë vendin.
Duke inspektuar punimet për fazën e parë të ndërtimit të sistemit të kanalizimit në Idrizovë, në komunën e Gazi Babës, Mickoski njoftoi se drejt fundit të muajit gusht pritet të nisë ndërtimi i autostradës Shkup–Bllacë.
“Drejt fundit të këtij muaji, ndoshta më 26 gusht, do të fillojë ndërtimi i segmentit të autostradës Bllacë–Shkup. Për këtë projekt, i cili është paralajmëruar prej një dekade, tashmë kemi kontraktor, kompani vendase, kemi mbikëqyrje dhe janë përmbushur të gjitha kushtet për fillimin e punimeve”, deklaroi Mickoski.
Ai bëri të ditur se në shtator pritet të fillojnë edhe punimet në segmentin autostradë Bukojçan–Kërçovë, ndërsa paralelisht do të intensifikohen aktivitetet për përfundimin e autostradës Kërçovë–Ohër.
Sipas kryeministrit, në gjysmën e dytë të muajit tetor pritet të nisë ndërtimi i segmentit Izvor–Vërbjan, ndërsa i gjithë projekti parashihet të përfundojë në tremujorin e parë të vitit 2027.
Mickoski theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit të infrastrukturës moderne rrugore, duke vlerësuar se projektet e reja do të përmirësojnë lidhjet ndërmjet rajoneve dhe do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit. përcjell Zhurnal.mk .

