Gjashtë tremujorë radhazi kemi rritje reale të Bruto Prodhimit Vendor me mesatarisht rreth 3.5 për qind. Në dy tremujorët e fundit të vitit 2025, BPV-ja reale u rrit me 3.8 për qind, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski, duke shtuar se politikat qeveritare po japin rezultate. Sipas tij, opozita shpesh tallet kur ai e thekson këtë, por, siç nënvizoi, fakt është se në tremujorin e katërt, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, rritja reale e BPV-së së Maqedonisë është ndër tre më të lartat në Evropë.
“Nëse kthehemi disa vite pas, do të arrijmë në përfundimin se atëherë ishim në fund të rajonit. Tani jemi para fqinjëve tanë. Në tremujorin e katërt, Bullgaria shënoi rritje prej 3.2 për qind, Kroacia 3.6 për qind, Serbia 2.2 për qind, Greqia rreth 2 për qind, ndërsa ne me 3.8 për qind jemi liderë në rajon. Tani përsëri do të dalin ‘botët’ e opozitës dhe do ta përqeshin atë që them, por le të vazhdojnë me talljet, ndërsa ne do të vazhdojmë të punojmë dhe të mbështesim histori të suksesshme që kontribuojnë në rritjen e BPV-së”, tha Mickoski.
Ai theksoi se viti 2025 u mbyll me një rritje reale ekonomike prej rreth 3.5 për qind, ndërsa për këtë vit pritet që rritja të lëvizë mes 3.5 dhe 4 për qind.
“Presim rritje të vazhdueshme në një kohë kur rritja ekonomike në Evropë është rreth 0.5 – 0.6 për qind. Kjo do të thotë se ekonomia është konsoliduar dhe politikat që ndjek kjo Qeveri, konsolidimi fiskal dhe menaxhimi i deficitit buxhetor, po japin rezultate. Nga njëra anë kemi politikë që është e kujdesshme dhe nuk shpenzon tepër, por atë që e shpenzon e orienton në mënyrë të qëllimshme dhe kjo po jep rezultate. Rezultati i kësaj politike është pikërisht kjo rritje”, tha kryeministri. Ai shtoi se BPV-ja nominale në vitin 2025 është rritur për 8.2-8.3 për qind, gjë që, sipas tij, paraqet një rekord historik për ekonominë e Maqedonisë. “Qëllimi ynë si Qeveri ishte që BPV-ja nominale në fund të mandatit, pra në vitin 2028, të kalojë 20 miliardë dollarë. Këtë shifër prej 20 miliardë dollarësh e tejkaluam vetëm pas një viti e gjysmë mandati, në vitin 2025”, tha Mickoski.
Sipas tij, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon që në vitin 2026 BPV-ja nominale e vendit të jetë pak më shumë se 21 miliardë dollarë.
“Sipas fuqisë blerëse, në vitin 2026 FMN parashikon që BPV-ja për frymë të popullsisë të arrijë mes 31 dhe 32 mijë dollarë. Po i afrohemi Malit të Zi dhe Serbisë. Jemi shumë përpara vendeve si Shqipëria, Kosova, Moldavia dhe vende të tjera si Gjeorgjia apo Bjellorusia, ndonëse para dy vitesh ishim edhe pas tyre. Tani synimi ynë është të kalojmë edhe këto dy vende dhe të bëjmë një hap më tej, duke iu afruar gradualisht vendeve anëtare të Bashkimit Evropian si Bullgaria dhe Rumania”, theksoi kryeministri.
Ai shtoi se, sipas tij, për fat të keq është bërë shumë pak nga qeveritë e mëparshme të LSDM-së dhe BDI-së, por theksoi se qeveria aktuale nuk do të dëshpërohet, por do të ndërmarrë hapa të mëdhenj për të çuar vendin përpara.

