Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i ka dërguar Kuvendit propozim zyrtar për emërimin e dy zëvendësministrave të rinj në dikastere të rëndësishme shtetërore.

Në shkresën zyrtare drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, kryeministri Mickoski propozon që Admir Shabani të emërohet zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa Driton Sulejmani të marrë detyrën e zëvendësministrit në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Propozimi bazohet në nenin 48 të Ligjit për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore, ndërsa në dokument theksohet se biografitë e kandidatëve të propozuar janë dorëzuar si pjesë e procedurës zyrtare.

Emërimi i zëvendësministrave pritet të shqyrtohet dhe të miratohet nga deputetët në Kuvend, në përputhje me procedurat ligjore dhe institucionale.

Ky hap konsiderohet pjesë e plotësimit të strukturave drejtuese në ministritë kyçe, me qëllim forcimin e funksionimit institucional dhe avancimin e prioriteteve qeveritare në fushën e mbrojtjes dhe arsimit.

sqShqip