Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se procesi i integrimit evropian i vendit po bilateralizohet dhe se Shkupi po përballet me presion nga një shtet anëtar i Bashkimit Evropian, duke kërkuar garanci për identitetin maqedonas përpara çdo ndryshimi të ri kushtetues.

Duke folur në një konferencë për shtyp në Vjenë së bashku me kancelarin e Austrisë, Christian Stocker, Mickoski tha se qeveria është e gatshme të dialogojë me fqinjët për tejkalimin e pengesave, por theksoi se për Shkupin janë thelbësore garancitë nga Këshilli Evropian se nuk do të ketë kërkesa të reja bilaterale që mund të ndikojnë në identitetin kombëtar dhe procesin e negociatave.

Ai theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por procesi i zgjatur dhe kushtëzimet bilaterale kanë krijuar frustrim te qytetarët dhe e kanë bërë të pasigurt rrugën evropiane të vendit.

“Pozicioni ynë është shumë i qartë – ne jemi të gatshëm si qeveri të ulemi me fqinjët tanë dhe të bisedojmë për tejkalimin e këtij problemi, por për ne janë më të rëndësishme garancitë që presim nga Këshilli Evropian për identitetin maqedonas, se nuk do të ketë çështje të tjera bilaterale që dikush mund t’i hapë përsëri”, tha Mickoski.

“A ka ndonjë shembull të dytë në Evropë që mund të thotë përafërsisht se ka bërë diçka si ne në emër të integrimit evropian? Nuk ka shembull të dytë. Dhe tani po na kërkojnë përsëri – të ndryshojmë Kushtetutën”, theksoi kryeministri i Maqedonisë së Veriut.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut ka hasur në mosmarrëveshje me Bullgarinë në procesin e saj integrues, të cilat lidhen kryesisht me çështje historike, gjuhësore dhe të identitetit, si dhe me të drejtat e komunitetit maqedonas në Bullgari.

Sofja ka kushtëzuar avancimin e Shkupit në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut dhe me zbatimin e marrëveshjeve dypalëshe, ndërsa autoritetet në Shkup kërkojnë garanci se nuk do të vendosen kërkesa të reja që mund të ndikojnë në identitetin dhe gjuhën maqedonase.

sqShqip