Njëri nga liderët e VLEN, Izet Mexhiti në intervistën për Ora24.tv ka thënë se pas fitores së thellë të VLEN në zgjedhjet lokale, ajo paraqitet veçmë si “parti republikane dhe se të tjerat janë parti lokale”.

“Tash dëgjojmë votuesin që në vazhdimësi kërkojnë që VLEN të jetë një, VLEN flet me një zë është më i faktorizuar brenda ekzekutivit, brenda rajonit, ndërkombëtarëve dhe ka fuqi më të madhe dhe shumë faktorë shkojnë në këtë drejtim. Pas fitores së thellë të VLEN, kemi punuar intensivisht në këtë drejtim dhe nëse e marrim hapësirën në vend, vetëm VLEN është parti republikane, të tjera janë lokale, ka shtrirje prej Dollneni deri në Dibër”, ka thënë Mexhiti.

Ai thekson se VLEN tani është shumë më fuqishëm dhe i përfaqëson shqiptarët më gjerë.

“I besojmë kësaj ideje. Mbrëmë e kemi vazhduar këtë ta trajtojmë, në muajin maj do të mbahet Kuvendi apo Kongresi i bashkimit si një parti politike me shkrirjen e të gjitha subjekteve”, tha Mexhiti.

Sipas tij, tani po formohet grupi i ekspertëve të punës që do të punojë në platformën e re dhe strukturimin e partisë së re. Në atë takim mbrëmë të VLEN, tha Mexhiti ka qenë i pranishëm ai, Bilall Kasami, Bekim Sali, Mimoza Musa dhe Bekim Qoku.

“Takimet janë të zakonshme, të rregullta, që i bjen takim i kryesisë së ngushtë ku debatojmë për temat aktuale, tema të ekzekutivit, decentralizmit të komunave dhe tema e VLEN me theks të veçantë. Për herë të parë ndodhë procesi i bashkimit të opozitës dhe në kuadër të VLEN nga 5-6 subjekte ku ndodhi ndryshimi, ku nga opozita tani jemi si pozitë dhe si imperativ dhe nevojë e shqiptarëve”, tha Mexhiti.

Mexhiti: Vit i vetëm pa zgjedhje, VLEN po bëhet një- ky është shqetësimi i opozitës

Njëri nga liderët e VLEN, Izet Mexhiti në intervistën për Ora24.tv ka thënë tema rreth zgjedhjeve të parakohshme parlamentare është absolvuar dhe se kjo qeveri është stabile.

“Si temë është absolvuar, gjysma e mandatit po shkon, nuk ka asnjë llogari shteti për të bërë harxhime shtesë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, ka qeveri stabile, pra është viti i vetëm ku nuk ka zgjedhje, as presidenciale, parlamentare apo lokale dhe ekzekutivi e ka mundësinë e artë që të realizojë programin dhe premtimet që ka dhënë”, ka thënë Mexhiti.

Sipas tij opozita e bën këtë për të mos i ikur struktura dhe anëtarësia.

Vit i artë për shumicën parlamentare, kryetarët e komunave…

“Ajo që është më e rëndësishme është se zgjedhje parlamentare nuk ka, VLEN po bëhet një dhe është realitet që VLEN e ka fuqinë absorbuese që elektoratin e pakënaqur brenda opozitës ta merr rreth vetes dhe ky është shqetësimi që ka opozita. Pra, është vit i artë për shumicën parlamentare, kryetarët e komunave dhe gjitha pushtetet, një mundësi e rehatshme për të realizuar programet zgjedhore”, tha Mexhiti.

Provimi i jurisprudencës në shqip, Mexhiti: Është formuar grup ekspertësh, e kemi biseduar edhe brenda VLEN-it

Njëri nga liderët e VLEN, Izet Mexhiti në emisionin “n’Podium” për Ora24.tv ka folur edhe për çështjen e provimit të jurisprudencës në shqip. Ai ka thënë është formuar grupi i ekspertëve që punon intensivisht për ta mbyllur këtë çështje.

“Edhe partneri më i vogël në qeveri duhet të reflektojë. Mbrëmë e biseduam në kryesinë e ngushtë në VLEN me zv/kryeministrin e parë, është krijuar grup pune brenda qeverisë për zgjidhjen ligjore të saj”, ka thënë Mexhiti.

Nuk pati vullnet nga ministrat shqiptarë të Drejtësisë

Sipas tij, nuk është çështja e vetme, ka edhe tjera që nuk janë zgjidhur në të kaluarën, kur i kemi pasur edhe ministrat e Drejtësisë shqiptarë dhe këtë po e bëjmë si përpjekje siç shton, “edhe kur në këtë detyrë është z.Fillkov”.

“Nuk e them si arsyetim, por kanë mbetur të hapura dhe të pazgjidhura edhe kur ministrat kanë qenë shqiptarë dhe e kanë pasur MO-në si pjesë të kushtetutës dhe rendit të Maqedonisë. Për atë është formuar grupi i ekspertëve që punon intensivisht për ta mbyllur këtë çështje që mos i lodhim studentët më me këtë çështje”, ka thënë Mexhiti, njëherësh kryetar i komunës së Çairit.

sqShqip