BallinaMaqedoni

Mexhiti takoi përfaqësuesen e lartë të Kombeve të Bashkuara për mjedisin jetësor

Gjatë ditës së sotme, zhvillova një takim të rëndësishëm me përfaqësuesen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) nga Vjena, znj. Sonia Gebert. Gjatë takimit, diskutuam për miratimin dhe zbatimin e politikave dhe iniciativave inovative, të fokusuara në mbrojtjen e natyrës dhe mjedisit, njoftoi zv/kryeministri i parë dhe ministër i ekologjisë, Izet Mexhiti.

Sipas tij, në qendër të bisedimeve ishte zbatimi i projektit të GEF/UNEP “Promovimi i Menaxhimit të Qëndrueshëm të Tokës”, “Përforcimi i Kornizës Ligjore dhe Institucionale”, “Ngritja e Kapaciteteve dhe Restaurimi i Peizazheve Malore më të Cënueshme.”

“Theksuam mbështetjen e ofruar nga UNEP-i në përpjekjet tona kombëtare, për arritjen e objektivave për neutralitetin e degradimit të tokës.

Një rëndësi e veçantë i kushtuam zbatimit efektiv të Kornizës Globale për Diversitet Biologjik pas vitit 2020, si dhe projekteve aktuale që synojnë përmirësimin e menaxhimit të diversitetit biologjik, në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Shprehëm kënaqësinë për bashkëpunimin e mëparshëm të suksesshëm ndërmjet dy institucioneve dhe mbështetjen e UNEP-it, në zbatimin e marrëveshjeve dhe konventave ndërkombëtare për mjedisin.

Gjithashtu, përfituam nga rasti për të diskutuar mundësitë që Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, të mbështesë disa projekte të ardhshme të Ministrisë”, njoftoi Mexhiti.