Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, njëkohësisht kandidat për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, prezantoi sot projektin më të madh sportiv në historinë e kësaj komune: transformimin e Pishinës së vjetër të braktisur në një qendër moderne sportive dhe rekreative.

Ky projekt ambicioz, i konceptuar sipas modeleve të njohura të qendrave sportive “Jane Sandanski” në Aerodrom dhe “Boris Trajkovski” në Karposh, synon të sjellë një qendër multifunksionale të standardeve evropiane, në zemër të Çairit.

‘Kompleksi do të përfshijë Sallë të madhe sportive për hendboll, volejboll dhe basketboll, me kapacitet mbi 3.000 ulëse për spektatorë, Qendër të mbyllur fitnesi, Salla për pingpong dhe sporte luftarake të tilla si karate dhe boks, Fusha të jashtme për futboll të vogël dhe dy fusha basketbolli – të hapura dhe të qasshme për qytetarët’ informoi Mexhiti.

Projekti, sipas Mexhitit do të ndërtohet përmes një partneriteti publiko-privat, ku Komuna e Çairit do të krijojë të gjitha parakushtet ligjore dhe institucionale, në bashkëpunim të plotë me pushtetin qendror.

‘Investuesi që do të përzgjidhet do të ketë detyrim të ndërtojë një qendër që përmbush standardet moderne dhe të ofrojë një model funksionimi të qëndrueshëm. Në këmbim, ai do të ketë të drejtën e shfrytëzimit të kompleksit për një periudhë 20 deri në 30 vjet’ tha Mexhiti.

Mexhiti tha se pas përfundimit të kësaj periudhe, kjo qendër moderne sportive dhe rekreative do të bëhet pronë e plotë e Komunës së Çairit dhe e të gjithë qytetarëve tanë. Me vendim të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut i është dhënë për përdorim të përhershëm Komunës së Çairit dhe Komuna ka të drejtë të menaxhojë, gjegjësisht ti zbatojë të gjitha procedurat e nevojshme për realizimin e këtij projekti..

Është koha që edhe Çairi të ketë një qendër sportive të rangut evropian, u shpreh Mexhiti gjatë prezantimit.

sqShqip