Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, në një takim me aktivistët e koalicionit në Dibër, theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj decentralizimit si një nga shtyllat themelore të Marrëveshjes së Ohrit, duke vënë në pah investimet e realizuara në komunat me shumicë shqiptare.

Sipas tij, prioritet i VLEN-it është fuqizimi i komunave dhe avancimi i decentralizimit, proces që tashmë po reflektohet përmes investimeve konkrete dhe shpërndarjes më të drejtë të mjeteve financiare.

“Komunat shqiptare e kanë ndjerë mbështetjen përmes pjesës që kanë përfituar nga kredia hungareze dhe nga buxheti i shtetit. Në këto dy vite rreth 3 miliardë euro po investohen në vendbanimet ku gravitojnë shqiptarët, duke filluar nga Korridori 8, rruga Shkup-Bllacë, kampusi i Universitetit ‘Nënë Tereza’, Sheshi Skënderbe, kolektori në Tetovë dhe shumë projekte të tjera me buxhete të përcaktuara qartë”, deklaroi Mexhiti.

Ai veçoi si moment historik mënyrën e shpërndarjes së fondeve nga kredia hungareze, duke theksuar se për herë të parë që nga vendosja e pluralizmit në Maqedoninë e Veriut, mjetet janë ndarë sipas një kriteri të vetëm.

“Për herë të parë në Maqedoninë e Veriut, fondet nga kredia hungareze u ndanë vetëm sipas numrit të banorëve. Sa banorë ka një komunë, aq mjete përfiton. Ky është një model i drejtë dhe transparent që garanton zhvillim të barabartë për të gjitha komunat”, tha Mexhiti para aktivistëve të VLEN-it në Dibër.

sqShqip