Të nderuar çairas, shumë të dashura nëna, baballarë, vëllezër e motra,

albi qamili
Arben Etemi
BASHKIM BAKIU
Bilall Kasami
Blerim Islami
Blerim sejdiu
Daut Beqiri
DAUT MEMISHI
Feti Abazi
Fisnik Mela
haqim ramadani
izet mexhiti
Mehmet Seferi
muhamet elmazi
muhamet murtezi
Nexhmedin Sadiki
Sabaedin Dauti
Sedat Bislimi
Zekerija Berisha
previous arrow
next arrow

Sonte jam para jush jo për të mbajtur një fjalim politik, as për të bërë oponencë e sulme ndaj kundërshtarëve tanë.

Madje, sonte nuk jam këtu as për të folur për projektet tona në Çair, sepse në cilindo skaj të Çairit që të ecni, flet puna jonë, flasin makineritë që punojnë në Çairin tonë. Prandaj, gjithçka që mund të them unë se çfarë jemi duke bërë për Çairin tonë do të jetë sigurisht më pak në krahasim me atë çfarë po ndodh si ndryshim real sot në Çair.

Nuk do të flas as për dhjetëra miliona euro investimet që i kemi sjellë në Çair, as për shkollat e çerdhet e reja, as për sheshin e ri në Çarshi e as për kampusin e ri universitar.

Unë jam sonte këtu para jush që vetëm t’ju them faleminderit!
Ju faleminderit nga zemra për gjithë dashurinë që më keni dhënë në këtë fushatë.

Ju faleminderit nga zemra për gjithë besimin që ma keni falë në këtë fushatë.
Ju faleminderit nga zemra për buzëqeshjen që e keni shprehur në këtë fushatë.
Më shumë se fitorja që po vjen më mjafton dashuria juaj, besimi juaj dhe buzëqeshja juaj.

Të dashur qytetarë të Çairit, sonte – në përmbyllje të kësaj fushate në Çair – jam këtu që t’u them se kjo betejë i ka kaluar dimensionet e një gare të rëndomtë për një komunë të Shkupit, siç është Çairi ynë. Kundërshtarët tanë politikë deshën të na sfidojnë në Çair, të na mundin në Çair dhe kërkuan mejdan politik në Çair, duke menduar se ne do të ikim. Ndonëse kishim plot djem e vajza që do ta bënin këtë betejë me sukses, ashtu si gjithmonë, e pranova këtë sfidë dhe kërkova nga shokët e VLEN-it mirëkuptim që unë të garoj vetë.

Desha që nderin e Çairit tonë ta marr përsipër vetë dhe t’u japim leksion të gjithëve se Çairi nuk është trampolinë për të shpëtuar karrierat politike të politikanëve të konsumuar të Zajazit. Çairi nuk është trampolinë as për t’i kthyer në pushtet ata që sot vajtojnë në opozitë dhe që mendonin se, duke fituar në Çair, do të kthehen në qeveri.

Më 19 tetor disa nga ata do t’i dërgojmë në pension politik, ndërsa disa edhe në histori. Prandaj, shumë të dashur çairas të mi, fitorja jonë në Çair ka të bëjë me nderin e Çairit. Sepse unë nuk jam në garë me Bujar Osmanin, por me Ali Ahmetin e Zajazit.

Gjëja e dytë që dua t’ua them është se u ktheva të garoj në Çair, që ëndrrën e atyre që deshën ta bëjnë Çairin geto të pazhvilluar ta kthej në një Çair të ëndërruar nga të gjithë ne. Gjatë këtyre 15 muajve qeverisje qendrore, qeveria VLEN ka orientuar në Çair dhjetëra projekte dhe rreth 100 milionë euro investime, që kështu Çairin, nga periferi të qytetit, ta kthejmë në epiqendër të tij.

E kur jam këtu, do të më lejoni t’ju them se ndonëse unë i prij kësaj gare, kjo fitore më së paku më përket mua. Prandaj unë dua t’i falënderoj të gjithë ata që, me punën e tyre, në këto tre javë fushatë e në këta tre muaj angazhim të vazhdueshëm kanë dhënë aq shumë nga vetja e tyre për këtë fitore.

Janë këtu shefat e shtabeve lokale, të prirë nga shefi i shtabit komunal të VLEN-it në Çair, që janë fitimtarët e vërtetë të kësaj gare elektorale. Ju faleminderit të gjithëve nga zemra!

Është këtu po ashtu forumi i grave, i udhëhequr nga shefja dhe kryetaret e forumeve të gruas VLEN – Çair, të cilat kanë bërë një fushatë të mrekullueshme për ta promovuar punën tonë. Shumë prej tyre i kanë lënë keq familjet e tyre për këtë kauzë. Andaj, ju falënderoj nga zemra dhe ju përkulem deri në tokë.

Këtu është edhe forumi rinor i VLEN-it, që ishin frymëzuesit e zellit për punë në Çair. Ata janë djemtë dhe vajzat më të mira që i ka Çairi, për të cilët ia vlente të bëhej kjo betejë dhe të cilët premtojnë shumë për të ardhmen tonë në këtë pjesë të qytetit.

Në frymë të falënderimeve në mënyrë të veçantë dua të shpreh mirënjohje për bartësit e listave të këshilltarëve, për Çair dhe për Qytetin e Shkupit, aq më shumë që të dy janë nga Çairi. Ju faleminderit shumë për angazhimin dhe suksese edhe juve të dielën!

Mirënjohje dinjitoze meriton edhe kandidati për kryetar të Qytetit të Shkupit, që ka qenë pjesë e kësaj fushate dhe i cili na ka bërë të mburremi që kemi qenë bashkë. Të faleminderit!

Falënderime po ashtu edhe për deputetin Bekim Sali, i cili ka qenë gjithmonë në krahun tim të dajthtë në këtë fushatë. Të faleminderit Beko.

Shumë të dashur banorë të Çair dhe ju mysafirë, gjatë kësaj fushate e kam ndjerë si asnjëherë më parë emocionin e mbështetjes dhe dashurisë. Nuk do ta harroj kurrë emocionin e përlotur të një plaku në Sahatkullë, i cili duke ma shtrënguar dorën, më tha se “falë teje e kam shpëtuar familjen duke më dhënë leje për shtëpinë”. Natyrisht, secili në këso raste do të ndjehej mirë dhe unë nuk mund ta mohoj këtë, por më shumë se kaq, përgjigja ime për të ishte se: “Ne e kemi bërë vetëm atë që e kemi detyrim ndaj qytetarëve, asgjë më shumë. Prandaj nuk ka nevojë as për falënderim.” Sepse, besimi juaj është amanet për ne. Shembuj të këtillë të mirënjohjeve kam gjetur gjithkund nëpër Çairin tonë. Në pamundësi për t’i përmendur të gjitha konaqet, por duke qenë pafundësisht falënderues që ju i hapët zemrat dhe dyert e shtëpive për ne, që na mbushi jo vetëm me emocion e frymëzim, por edhe me besim se vërtet ia vlen ta bëjmë këtë betejë.

E kam patjetër ta theksoj se jam ndjerë fort mirë edhe në mesin e arsimtarëve, sportistëve, në mesin e artistëve, tregtarëve të Bitpazarit, esnafit të Çarshisë, por edhe në mesin e pensionistëve tanë dashur e të personave shumë të dashur me nevoja të veçanta. Faleminderit dhe mirënjohje pa fund për të gjithë.

Shumë të dashur të pranishëm, para se të përfundoj më duhet t’ju them edhe një gjë. Beteja në Çair nuk është vetëm betejë për atë se kush do ta menaxhojë këtë komunë në katër vitet e ardhshme. Kjo betejë do ta përcaktojë edhe të ardhmen politike të shqiptarëve: a do të kthehen ata që qeverisën me arrogancë dhe përfunduan në lista të zeza apo do të vazhdojmë të qeverisim ne me elegancë dhe të jemi në faqet e ndritura të historisë sonë?!

Prandaj, duhet ta kuptojmë se në Çair bëhet betejë për të gjitha vendbanimet tona që nga Likova e deri në Strugë. Kjo është arsyeja që unë isha shumë i kujdesshëm në këtë fushatë dhe për këtë arsye jam përpjekur që kjo betejë të jetë garë me ide e programe dhe jo një garë me ofendime e denigrime.

Qytetarë të dashur të Çairit, neve dhe fitoren na ndajnë vetëm edhe dy ditë. Dhe, këto dy ditë mjaftojnë që ju të gjithë, familjet tuaja, dhe gjithë shoqëria juaj të bisedoni me secilin që e keni të afërt dhe t’ia kujtoni këto mesazhe, se kjo betejë është për të ardhmen e fëmijëve tanë, të të rinjve tanë, të prindërve tanë e të pleqve tanë.

Unë e kam pranuar rolin e shërbyesit të popullit dhe jam i gatshëm që deri në fund të punojmë dhe të sakrifikojmë që ëndrrën e atyre që na projektuan si geto, ta kthejmë në Çair të ëndrrave tona, në një zonë urbane dhe të zhvilluar të qytetit tonë.

Duke ju falënderuar nga zemra të gjithëve një nga një e veç e veç, duke jua shtrënguar duart secilit nga ju, ju ftoj që më 19 tetor të gjithë në një zë të votojmë për numrin 7. Ky numër dhe kjo ofertë nuk ka alternativë tjetër, pos fitores.

Po e mbyll fjalën time duke ju ftuar që të dielën në mbrëmje të takohemi të gjithë së bashku në sheshin “Skënderbeu” për ta festuar kapitullin e ri për Çairin dhe historinë e re politike për shqiptarët në vendin tonë.

Ju faleminderit e mirupafshim!

sqShqip