Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka vlerësuar se marrja e Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe Ministrisë së Kulturës përbën një hap të rëndësishëm për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe për forcimin e institucioneve shtetërore.

Në një reagim me rastin e 25-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, ai theksoi se vendi po hyn në një fazë të re të qeverisjes, të mbështetur në parimet e barazisë, drejtësisë dhe përgjegjësisë.

“Drejtësia është themeli i shtetit të së drejtës dhe garancia më e fortë për barazinë e qytetarëve. Marrja e këtij resori nënkupton përgjegjësi për të çuar përpara reforma të thella në sistemin e drejtësisë, për ta kthyer besimin e qytetarëve te gjyqësori dhe institucionet, për të garantuar zbatimin e plotë të të drejtave kushtetuese e gjuhësore që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit”, theksoi Mexhiti.

Ai shtoi se Ministria e Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive dhe ajo e Kulturës do të kenë rol të rëndësishëm në forcimin e kohezionit shoqëror, promovimin e karakterit multietnik të shtetit dhe ruajtjen e identitetit kulturor të shqiptarëve, ndërsa së bashku me resorët e Çështjeve Evropiane, Ekonomisë dhe Mjedisit Jetësor do të kontribuojnë në përshpejtimin e integrimit evropian të vendit.

" "

“Ky rikonfigurim përfaqëson edhe një konsolidim të plotë të përfaqësimit të VLEN-it në Qeveri. Një VLEN i konsoliduar në Qeveri nënkupton më shumë unitet në vendimmarrje, më shumë efikasitet në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve dhe më shumë përgjegjësi në përmbushjen e zotimeve tona ndaj qytetarëve”, përfundoi Mexhiti.

sqShqip