Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor, njëherësh kandidat për kryetar të Komunës së Çairit, z. Izet Mexhiti, ka ndjekur sot nga afër punimet infrastrukturore në Rrugën Jashar Erebara, në lagjen Gazi Babë të Çairit.
“Si në çdo pjesë të Çairit, edhe këtu po investojmë për të përmirësuar kushtet e jetesës së qytetarëve. Afro 3 milion denarë janë ndarë për realizimin e një projekti të rëndësishëm që përfshin: ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit, kanalizimin atmosferik dhe fekal, si dhe instalimin e ndriçimit rrugor modern”, deklaroi Mexhiti gjatë inspektimit.
Ai theksoi se pas përfundimit të të gjitha punimeve nëntokësore, rruga do të asfaltohet tërësisht, duke siguruar infrastrukturë të re dhe funksionale për banorët.
“Ky është një projekt në kuadër të planit të përgjithshëm të zhvillimit infrastrukturor të Komunës së Çairit. Po investohet në mënyrë të koordinuar – me mjete të Komunës, të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe të Qeverisë”, tha Mexhiti.
Punimet në Rrugën Jashar Erebara po zhvillohen me një dinamikë të mirë, dhe përfundimi i tyre pritet së shpejti. Ky investim pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve, si dhe në zhvillimin urban të lagjes Gazi Babë.