Kandidati i koalicioni VLEN, Izet Mexhiti tha se me ndërtimin e kampusit universitar për Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, në vlerë të mbi 35 milionë eurove, po hapet kapitull i ri, ai i Çairit si një qendër akademike, përcjell TV21. Mexhiti tha se në 10-vjetorin e themelimit të këtij universiteti, po punohet që si institucion arsimor, “Nënë Tereza” të jetë universitet që ndërton programe konkurruese në nivel ndërkombëtar, partneritete me universitete të njohura, diploma të dyfishta dhe pjesëmarrje në projekte europiane.

“Sot me krenari prezantojmë investimin më të madh në arsimin e lartë për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Kampusin e ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, me vlerë mbi 35 milionë euro. Ky investim nuk është vetëm një ndërtesë dhe infrastrukturë. Është një investim në të ardhmen tonë, në të rinjtë, në profesorët, në gjeneratat e reja të inxhinierëve, shkencëtarëve dhe profesorëve që do ta ndërtojnë këtë shtet. Universiteti “Nënë Tereza” sot është një institucion me rëndësi kombëtare për shqiptarët, por njëkohësisht edhe një universitet me rol rajonal dhe perspektivë evropiane. Çairi sot është më shumë se një komunë. Është bërë qendër e arsimit të lartë për shqiptarët në kryeqytet. Me këtë kampus të ri po përmbyllim një kapitull të rëndësishëm dhe po e hapem tjetrin. Çairi si një qendër akademike dhe kulturore ku gravitojnë katër universitete, qindra profesorë dhe mijëra studentë. Ky është një transformim që e shohim dhe e ndjejmë çdo ditë. E di që pati skepticizëm për këtë ide, po rezultatet flasin vetë. Sot të rinjtë tanë nuk kanë nevojë të kërkojnë dije jashtë vendit, sepse këtë e kanë këtu, në shtëpinë e tyre, në gjuhën e tyre amtare. Ky projekt është gjithashtu një përgjigje ndaj sfidës më të madhe me të cilën përballemi, emigrimin. Nëse të rinjtë kanë një universitet cilësor në vendin e tyre, nuk do të kenë arsye te largohen. Do të qëndrojnë këtu, do të studiojnë këtu, do të krijojnë këtu. Vizioni ynë është që ky kampus të bëhet qendër e inovacionit, kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”, tha mes tjerash Mexhiti.

sqShqip