“Mendoj që qytetari vetë do të vlerësojë. Osmani dhe Grubi ishin tetë vite në qeveri dhe nuk ka asnjë projekt për Çairin. Nuk mund të thonë që kanë realizuar qoftë një projekt të vetëm, një të mirë për Çairin. Përkundrazi, në 15 muajt sa unë isha zëvendëskryeministër, kemi alokuar 100 milionë euro investime për këtë komunë”, deklaroi kandidati i VLEN për Komunën e Çairit Izet Mexhiti në emisionin “Hajde Flasim” në TV21.
Mexhiti përmendi disa nga projektet konkrete që kanë nisur gjatë mandatit të tij:
Kampusi Universitar “Nënë Tereza”, projekt i filluar;
Sheshi “Skënderbeu” dhe Çarshia e Vjetër, investim prej 25 milionë eurosh, në procedurë, me gurëthemel që pritet për dy-tre javë.
Ai më tej iu përgjigj edhe kritikave të Osmanit.
“Dëgjova që kjo qenka ‘keqpërdorim i qeverisjes’. Në fillim thoshin që ne nuk kemi peshë në qeveri, tash thonë që po e keqpërdorim qeverisjen. Nëse këto investime quhen keqpërdorim, atëherë unë them se do ta ‘keqpërdorim’ edhe më shumë këtë qeverisje, por vetëm në interes të qytetarëve”, theksoi Mexhiti.