Metafora e “anijes kozmike” dhe magjia e saj në diskursin politik
Arbër Çeliku
Në paraqitjet e tij televizive, kryetari i BDI-së, z. Ali Ahmeti, me batutat e tij shumëkujt i duket si Nasradin Hoxha. Por, ai nuk është buzëqumësht dhe as rastësisht 2 dekada në politikë, aq më tepër kur në rrethanat tona shoqërore edhe shërbëtor shkolle nuk mund të jesh rastësisht. Çdo gjë është projektuar sipas një arkitekti të përsosur, ku edhe guraleci më i vogël e zë vendin e duhur në një kala qindra vjeçare.
Në paraqitjen e fundit televizive, fill pas shpalosjes së “agjendës së tij të gjelbër” (5 qershor 2021), sado që i varfër të dukej korpusi i tij ligjërimor dhe konfuziteti i ngjizjes së mendimeve, ai kumtoi gjëra shumë interesante, që prekin proceset tona kolektive shoqërore. Duke nisur nga renditja e fakteve historike (2001 e deri më sot): si flamuri, gjuha, universitetet, përfaqësimi ynë në piramidën e shtetit, ai e përmbylli me metaforën e “anijes kozmike” dhe shkuarjen në hënë. Një manovrim maestral përmes boshtit paradigmatik të ngjarjeve, por që karakterizohet sa me një thjeshtësi ligjërimore, po aq edhe me një porosi të kamufluar, duke prekur nervin e mentalitetit tonë kolektiv. Dhe plotësisht kishte të drejtë, duke mëtuar të na thotë: unë i realizova ato që nuk i kishit, por çfarë po bëni ju? Unë nuk jam as gjykatës, as polic, as profesor, as mjek, as shkencëtar, as bujk dhe as astronaut. Por, edhe as Harry Potter, që mund t’jua plotësoj juve të gjitha dëshirat me shkopin magjik. Punoni edhe ju pak! Ç’faj ju kam unë, që ju hangariseni gjithë ditën e lume dhe prisni të ndodhin mrekulli?
Megjithatë, ai e ka për zemër historinë dhe në vazhdimësi përpiqet të krijojë histori dhe të zërë vend të merituar në gjirin e saj. Si të gjitha të arriturat që i rendit ai në vazhdimësi me krenari, edhe “agjenda e gjelbër” është pjesë e korpusit të tij historik. Megjithatë, edhe individë të shumtë, bashkëpunëtorët dhe të fortët e partisë së tij, që gjithkush sot i di me emër dhe mbiemër, qysh nga fillesat e kësaj partie dhe deri më sot, krah për krah me të, kanë bërë, hyrë dhe vazhdojnë të mbeten në histori. Dihet kush i ka ndërtuar dhe i kontrollon hidrocentralet në Malin Sharr, që kanë shkurtuar nga “agjenda e gjelbër”, dihet kush në vend të parqeve ka ndërtuar ndërtesa biznesi anembanë vendbanimeve tona dhe kanë shkurtuar nga “agjenda e gjelbër”, dihet kush i ka në zotërim me dekada guroret dhe po shkurton nga “agjenda e gjelbër”, dihet kush po i pret pyjet dhe i ka ato në koncesion dhe po shkurton nga “agjenda e gjelbër”, dihet kush po i merr tokat shtetërore dhe ndërton zona biznesi dhe po shkurton nga “agjenda e gjelbër” dhe ka mijëra shembuj të tjerë si këto, që nuk ia vlen barra qiranë të përmenden, sepse tashmë gjithkush i di.
Unë do t’i besoja “agjendës së gjelbër”, po të mos shfaqej ai as në parkun e qytetit të Shkupit dhe as në shoun e tij të zakonshëm televiziv, por sikur ta niste promovimin e kësaj agjende “historike” mu përpara dyerve me kangjella të korozuara të Termocentralit Osllome, 2 km vijë ajrore larg shtëpisë së tij dhe 500 m larg shtëpisë time. Mbi 5 dekada ne kërçovarët po thithim tym kancerogjen, madje edhe më kancerogjen këto ditë, fill pas shpalljes së “agjendës së gjelbër”, i cili po përzihet me mazutin e dyshimtë, që pushtoi mediumet këto ditë dhe dihet kush janë importuesit e tij: Ata që shkruajnë krah për krahu histori.
Z. Ali Ahmeti është mjeshtër i dekonstruktimit të historisë dhe i krijimit të një ecurie të re historike, duke i mbledhur përreth vetes edhe historianët më me nam. Kush e ka lexuar “Fermën e kafshëve” të Orvellit, e di fare mirë se fermeri ogiçët e tij e ka të lehtë t’i mbajë në vathë, për faktin e thjeshtë se ua ka fshirë imazhin për botën përreth. Dikush madje vërtet mund të besojë se ai një ditë do t’i dërgojë në hënë me anijen kozmike, por jo derisa njerëzit e tij do të vazhdojnë të bëjnë dhe hyjnë në histori, duke uzurpuar, shkatërruar dhe përfituar në kurriz të qytetarëve dhe pronës publike dhe ne: intelektualë, mjekë, gazetarë, publicistë, ambientalistë, humanistë, punëtorë e bujq ta bëjmë punën tonë më së miri që dimë dhe mos të pretendojmë, pa një pa dy, të gjithë të bëhemi politikanë.