Meta: Mirësi, lumturi, begati, dashuri dhe paqe në çdo familje shqiptare!
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Në këtë festë të madhe, ai ka takuar Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Bujar Spahiu dhe Kryetarin e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Haxhi Dede Edmond Brahimaj
“I lumtur të ndaja sot me Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Bujar Spahiu dhe Kryetarin e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Haxhi Dede Edmond Brahimaj urimet më të përzemërta për Kurban Bajram!
Mirësi, lumturi, begati, dashuri dhe paqe në çdo familje shqiptare!”, ka shkruar Meta pas takimeve të realizuara.
Ndryshe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, zgjodhi qytetin e Kavajës për të përcjellë urimin e tij.
“GËZUAR KURBAN BAJRAMIN! Kënaqësi t’ju uroj këtë Festë të Shenjtë, simbol të sakrificave dhe humanizmit, pikërisht nga Kavaja, qyteti simbol i traditave dhe vlerave”, tha Meta, i cili theksoi se “Sakrificat duhen njohur dhe të mirat duhen ndarë në mënyrë të përbashkët, që të plotësojmë njeri tjetrin”.
Po ashtu Meta premtoi se brenda 100 ditëve të para të qeverisjes së ardhshme do të kthen pronat e komuniteteve fetare.
“Por gjej rastin të konfirmoj vendosmërinë e PL për të kthyer brenda 100 ditëve të para në qeverisjen e ardhshme të gjitha pronat e komuniteteve fetare. Për 34 vite ka një grabitje të qëllimshme të pronave për shkak të korrupsionit dhe klientelizmit. Ne do të shlyejmë një detyrim të madh dhe do ta ndihmojmë vendin tonë që të ketë më shumë mbarësi dhe do të jemi më të çliruar nga ajo padrejtësi që ndodhi në Shqipëri ku u ndalua besimi dhe u morën pronat e komuniteteve”, tha Presidenti i PL.