April 30, 2024
Kolumna

Mësuesi duhet të jetë shembull gjithkund

SHKRUAN: NEHAT JAHIU

Mësuesi për të kryer profesionin e tij ashtu siç duhet dhe siç e meriton, përveç figurës që përfaqëson nuk duhet të jetë i mirë vetëm në shkollën e tij ku punon. Ai nuk duhet të ketë sjellje të mira vetëm ndaj nxënësve të tij, kolegëve të tij aty ku punon. Ai duhet të jetë shembull në çdo vend ku gjendet. Ai duhet të japë shembullin e tij për të gjithë edhe jashtë objektit shkollor pasi të ketë kryer punën me nxënësit. Pas kthimit nga shkolla gjatë rrugës duhet të nderojë dhe respektojë çdo njeri që takon. Në familje me anëtarët e familjes së tij mësuesi po ashtu duhet të jetë një mësues dhe edukator i mirë. Ai kudo që të shkojë si në festa ose raste gëzimesh duhet ta marrë fjalën dhe të flasë fjalë të mira. Në raste vdekjesh kur të shkojë për ngushëllime të jetë gjithnjë shembull. Në lagjen, vendin ku jeton në fshat apo qytet me sjelljet e tij mësuesi duhet të jetë më i dalluar, sepse ai është një mësues dhe edukator jo vetëm në klasë, por profesionin e tij duhet ta shfrytëzojë në aspektin pozitiv gjithkund ku ndodhet. Edhe në kafeteri me shoqërinë, mësuesi duhet që me sjelljet e tij të nderojë dhe respektojë profesionin e vet. Kur gjendet në një stadium, ku shikon një ndeshje sportive ai duhet të dallohet nga të tjerët dhe të jetë shembull për të gjithë. Pra, sjelljet e mira të mësuesit nuk duhen të shprehen vetëm në shkollë tek nxënësit e tij, por ai duhet të merret si shembull me sjellje të mira në çdo vend, si në brenda shkollës, jashtë saj, dhe në çdo vend tjetër. Ai duhet të jetë shumë i kujdesshëm me sjelljet e tij, sepse të gjithë e ndjekin atë. Gjithçka pozitive dhe negative e tij regjistrohet nga të gjitha moshat e njerëzve. Britma e mësuesit para nxënësve, ofendimi me fjalë fyese ndaj tyre, përdorimi i dhunës etj. janë jashtë kodit të profesionit të tij. Sjellja e pahijshme dhe e pakontrolluar në çdo vend ku gjendet edhe pas orarit mësimor bie në sy të keq, sepse ai ka profesionin e tij për të mësuar dhe edukuar dhe jo për të përdorur fjalë banale. Mësuesi nuk duhet ta humbë kohën kot, por duhet ta shfrytëzojë racionalisht edhe kur nuk është në punë. Ai duhet të përgatitet mirë, dhe atëherë mund të shkojë në klasë para nxënësve. Mësuesi duhet të lexojë jo vetëm literaturë përkatëse të profesionit të tij, por edhe literaturë shtesë për të qenë më i përgatitur dhe i përsosur më shumë se çdokush tjetër. Ai nuk duhet të shkojë i papërgatitur në klasë. Për mësuesin, nxënësit duhet të jenë të sjellshëm dhe të krijojnë një ambient qetësie për mësim. Mësuesi nuk mund të ulet në karrige dhe t`i angazhojë nxënësit që të lexojnë diçka në libër, e vetë të ndezë cigaren e duhanit ose të mbushë fjalëkryqin në klasë.

Ai nuk mund ta kaloj kohën gjithë natën nëpër kafeteri, dhe pastaj të shkojë në klasë, të ulet dhe të flejë gjumë. Mësuesi nuk mund të shkojë i dehur në shkollë tek nxënësit. Ai duhet në çdo aspekt të mos lejojë ose të tejkalojë normat e tij të profesionit, sepse çdo tejkalim ia humb emrin të bartë titullin mësimdhënës dhe edukator.

Mësuesi nuk mund të kalojë ditën dhe natën nëpër bastore etj. Mësuesit nuk i lejohet të kërkojë nga nxënësit të kenë pastërti në veshje dhe në trup, nëse ai një gjë të tillë nuk e ka në veshjen dhe trupin e tij. Mësuesi është dhe duhet të mbetet modeli më i lartë njerëzor, për jetën dhe të ardhmen e njerëzimit. Zhvillimi dhe përvoja personale e mësuesëve të vjetër i ve përballë përgjegjësive të reja edhe mësuesit e rinj.