MESAZHI I REISUL ULEMASË H. HFZ. SHAQIR EF. FETAI

ME RASTIN E FILLIMIT TË MUAJIT TË BEKUAR TË RAMAZANIT

Bismilahi Rahmani Rahim

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ

Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Gjithëmëshirshmit.

“O ju që besuat! Ju është bërë obligim agjërimi siç u është bërë atyre para jush, që të bëheni të devotshëm.” (El-Bekare, 183)

Të dashur besimtarë,

Me perëndimin e diellit dhe me hyrjen e natës së 19 shkurtit, ne fillojmë agjërimin e muajit të bekuar të Ramazanit. Ky është momenti kur ummeti hyn në një gjendje adhurimi, përulësie dhe reflektimi.

Ramazani nuk është periudhë e zakonshme kohore. Është kohë e zgjedhur. Është muaj në të cilin zemrat bëhen më të ndjeshme, ndërgjegjjja bëhet më e mprehtë dhe lidhja me Allahun bëhet më e thellë. Ramazani vjen si thirrje për qetësi të brendshme dhe për riorganizim të jetës sonë rreth asaj që është thelbësore.

Qëllimi i agjërimit është devotshmëria. Devotshmëria është vetëdije e përhershme për Allahun, që e orienton njeriun në mendim, në fjalë dhe në veprim. Ajo është ndërgjegje morale që e mban njeriun të drejtë edhe kur është vetëm dhe të përgjegjshëm edhe kur askush nuk e sheh.

Ramazani është shkollë e disiplinës dhe e karakterit. Kur përmbahemi nga ushqimi dhe pija – gjëra të lejuara – ne edukojmë vullnetin tonë dhe e forcojmë kontrollin mbi vetveten, që të përmbahemi edhe nga gjërat e ndaluara. Kjo vetëpërmbajtje duhet të shtrihet përtej aspektit fizik. Duhet të përfshijë gjuhën, sjelljen dhe marrëdhëniet tona.

I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Kush nuk e lë fjalën e rreme dhe veprimin me të, Allahu nuk ka nevojë për urinë dhe etjen e tij.” (Transmeton Buhariu)

Agjërimi synon transformimin e karakterit. Nuk mjafton të heshtë stomaku; duhet të heshtë edhe e keqja në ne. Nuk mjafton të largohemi nga ushqimi; duhet të largohemi nga përçarja, shpifja dhe arroganca.

Ramazani është gjithashtu muaji i Kur’anit. Ky muaj duhet të jetë rikthim serioz te Fjala e Allahut, jo vetëm në lexim, por edhe në reflektim dhe zbatim. Kur’ani e formëson mendjen, e pastron zemrën dhe e drejton veprimin.

Përmes agjërimit, ne mësojmë mirënjohjen për begatitë që shpesh i marrim si të mirëqena, ndiejmë më afër hallet e atyre që janë në nevojë dhe forcojmë përgjegjësinë ndaj njëri-tjetrit. Bujaria, mëshira dhe ndihma ndaj atyre që kanë nevojë janë shprehje konkrete e besimit dhe e agjërimit.

Një mesazh të veçantë kam për besimtarët tanë që jetojnë dhe punojnë jashtë atdheut. Ju jeni ambasadorë të fesë dhe kombit tuaj, të kulturës suaj dhe të vlerave fisnike kudo që jetoni. Përmes sjelljes suaj, integritetit dhe respektit ndaj të tjerëve, ju përfaqësoni bukurinë e Islamit. Prandaj përhapni paqe, mirësi dhe bashkëpunim në shoqëritë ku jetoni, duke forcuar bashkëjetesën dhe respektin e ndërsjellë ndërmjet njerëzve me përkatësi të ndryshme.

Të dashur besimtarë,

Le ta fillojmë këtë Ramazan me vendosmëri për ndryshim të vërtetë. Le ta përdorim këtë muaj për pajtim me Allahun përmes pendimit të sinqertë dhe për pajtim me njëri-tjetrin përmes faljes dhe mirëkuptimit. Le ta bëjmë sinqeritetin themel të çdo veprimi dhe përgjegjësinë kriter të çdo vendimi.

Lusim Allahun e Madhëruar që ky Ramazan të jetë muaj pastrimi të zemrave, forcimi të besimit dhe ngritjeje morale për secilin prej nesh:

– Që zemrat tona të pastrohen nga çdo barrë e panevojshme.

– Që familjet tona të mbushen me qetësi dhe mirëkuptim.

– Që Bashkësia jonë të forcohet në unitet dhe përgjegjësi institucionale.

– Që vendi ynë të begatohet me paqe, drejtësi dhe stabilitet.

Andaj, në prag të fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit, kam kënaqësinë dhe nderin që, në emër të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të gjitha institucioneve të saj, si dhe në emrin tim personal, t’ju uroj nga zemra besimtarëve tanë në vendlindje dhe në mërgim një Ramazan të begatë, agjërim të lehtë dhe të pranuar, si dhe një muaj që do të lërë gjurmë të thella në shpirtin, karakterin dhe jetën tonë, duke na afruar më shumë me Allahun dhe duke na bashkuar më fort në mirësi, drejtësi dhe përgjegjësi.

Për hajr na qoftë ardhja e muajit të Ramazanit.

Allahu ju bekoftë.

We selamu Alejkum we rahmetullahi we berekatuhu

Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai

sqShqip