October 15, 2024
Shqipëri

Mes tymit dhe kaosit, kalon në Kuvend projektbuxheti për vitin 2024

Mes tensioneve dhe flakëve në Kuvend, në seancën që zgjati vetëm 5 minuta, është miratuar projektbuxheti i vitit 2024.

Ndërsa deputetët e opozitës hodhën tymuese, ku në një moment u ndezën dhe flakë në Kuvend, mazhoranca miratoi në kohë rekord projektbuxhetin me 83 vota.

Menjëherë pas miratimit, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla njoftoi mbylljen e seancës.

Pavarësisht situatës, projekt- buxheti u miratua në parim me 83 vota pro.

Seanca e sotme parlamentare e cila ishte parashikuar të ishte një seancë maratonë për shkak se do diskutohej për buxhetin, zgjati më pak se 5 minuta.

Pjesë e seancës ishte edhe kryeministri Edi Rama i cili nuk bëri asnjë koment.

Shkak u bënë tensionet e krijuara nga deputetët e opozitës, të cilët pavarësisht kontrolleve të Gardës ndezën tymuese në Kuvend.

Kjo solli përjashtimin e Flamur Nokës nga seanca, dhe mbylljen e menjëhershme të seancës së sotme parlamentare.

Një situatë alarmante u krijua për pak çaste për shkak të zjarrit që nisi në Kuvend, pas tymueseve që u hodhën nga opozita.

Garda ndërhyri në kohë duke e shuar atë.

Berisha- Ju e patë vetë skenën më të shëmtuar në historinë 32-vjeçare të parlamentit.

Ju e patë vetë se si banorët e fermës së Edi Ramës, lexo Xhorxh Oruellit, kaluan brenda 5 minutash, aktin themelor të vitit, buxhetin e shtetit.

E kaluan në mënyrë antikushtetuese, antiligjore, sepse ky buxhet erdhi këtu jo mbi bazën e procedurave që përcakton Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit, por erdhi si një proces klandestin, i zhvilluar në mejhane me ahengje dhe në mënyrë të paparë.

Kështu siç nisi, ne erdhëm këtu për të bllokuar procesin, në mënyrë që buxheti, akt themelor i vitit në parlament, të merrte të gjithë dimensionet që i takonin, por ata e kaluan atë brenda 7 minutash, në frikë dhe tmerr.

E votuan, por nuk votoi askush, nuk ka asnjë evidencë për votimin, as për ndonjë gjë tjetër, përveç cicërimit si papagall të shërbëtores së Edi Ramës, Lindita Nikollës.

Kjo dëshmon drejtësinë e betejës pa kthim të opozitës, e cila edhe sot korri një fitore në betejën e saj pa kthim, pasi u bëri të pamundur hajdutëve të mbrojnë vjedhjen e tyre të mashtrojnë shqiptarët me vjedhjen e tyre. I bëri të pamundur Edi Ramës të ligjërojë për buxhetin e vjedhjes më të madhe në histori, buxhetin e gjobës më të madhe ndaj shqiptarëve. Beteja pa kthim e opozitës vazhdon.