Më 1998 shqiptarët e Maqedonisë i bashkoi Kosova dhe UÇK-ja. Për Kosovën i lanë anash ndasitë dhe u bënë gati për të ndihmuar luftën. Protesta e së shtunës nuk ishte as për së afërmi me atë të marsit të 1998-tës. Jo vetëm për nga numri, por edhe për nga jouniteti i shqiptarëve

Shkruan: Nebi Mërseli

Kurrë Shkupi nuk kishte qenë me aq shumë njerëz të tubuar. Sheshi kryesor ishte përplot, Ura e Gurit plot po ashtu. Ishte 6 mars 1998. Shqiptarët e Maqedonisë kishin shprehur solidarizim, mbështetje, por edhe porosi se tashmë edhe ata janë në luftë pasi që kishte filluar në Kosovë. Ishte dita kur në Prekaz luftonte familja Jashari dhe UÇK-ja kishte shtuar luftimet në terren.

Edhe pse të ndarë politikisht, partitë politike shqiptare të asaj kohe PPD (ishte në pushtet), PDSH dhe PDP. Tok në krye të mbi 150.000 protestuesve ishin Abdurrahman Aliti, Arbër Xhaferi e Ilaz Halimi, drejtues të tri partive që nuk i rrinin karshi njëra tjetrës. Përpos lidereve partiakë në krye të protestës ishin intelektualë, klerikë fetarë… Sot e kësaj dite në Shkup nuk janë mbledhur më shumë protesues as kur maqedonasit mbanin tubime partiake apo protesta.

Atëherë shqiptarët e Maqedonisë i bashkoi Kosova dhe UÇK-ja. Për Kosovën i lanë anash ndasitë dhe u bënë gati për të ndihmuar luftën. Ky bashkim i bazuar në emocione dhe frikë e pasiguri se cfarë do të bëhet mëtej, ngase qëndrimi zyrtar i shtetit maqedonas dhe korridori i supozuar i presidentit Kiro Gligorov për transit të refugjatëve të Kosovës nga territori i Maqedonisë.

Protesta pa unitet

Më 13 dhjetor 2025 protesta e shqiptarëve nuk ishte as për së afërmi me atë të marsit të 1998-tës. Jo vetëm për nga numri, por edhe për nga jouniteti. Protesta e së shtunës ishte bërë 27 vjet pas. Me shumë pak pjesëmarrës që kanë lindur pas atij viti.

Këngët e Ilir Shaqirit, valvitjet e flamujve të UÇK-së dhe një grup i uniformuar kthyen mbrapa kohën. Pas aq kohësh u desht edhe njëherë shqiptarët e Maqedonisë te protestojnë. Kësaj radhe prapë për UCK-në, por me siglën e një partie politike. BDI-ja në opozitë, në krye me Ali Ahmetin, i prinin protestës. Kishte mjaft edhe nga Kosova, si veteranë të luftës dhe kryesisht zyrtarë e pjesëtarë të partive opozitare.

Munguan zyrtarë të partive në pushtet. Si të Maqedonisë, ashtu edhe të Kosovës. Edhe pse përkrahën protestën drejtuesit e VLEN-it nuk u dukën. Kjo shton hendekun të krijuar ndërmjet partive edhe kur bëhet fjalë për Kosovën dhe për drejtuesit e UÇK-së që e bënë lirinë, e që po përballen me Specialen.

Porositë e Ahmetit

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti drejtoi porosi për maqedonasit. Tha se shteti i Maqedonisë nuk duhet të frikësohet nga Kosova dhe ata që po gjykohen në Hagë, ngase në cilësi të ndryshme kanë dëshmu se e duan një Maqedoni stabile. Dhe kjo qëndron. Qysh kur Lubco Georgievski e pat pranuar Hashim Thaçin në mënyrë protokollare, në ndërtesën e Qeverisë, në vitin 1999, u dha garanci se Kosova do të jetë mike me Maqedoninë. Arbën Xhaferi e Menduh Thaçi ishin dorëzanë.
Pasi e bëri luftën më 2001, Ahmeti si drejtues i lartë i UÇK-së në Kosovë, kërkoi lirimin e bashkëluftëtarëve të tij, të cilëve rradhë herë ua ka përmend emrin derisa ishin në liri.

Falënderimi për Clarkun dhe “djali jopromblematik”

Duke iu falënderuar gjeneralin Wesley Clark për dëshminë në Hagë, Ahmeti parafrazoi atë që kishte dëgjuar gjenerali nga Milosheviqi. Clark nuk ka harruar pas sa viteve se cfarë I kishtë thënë për shqiptarët presidenti i atëhershëm serb dhe se si do të zgjidhte cështjen e Kosovës. Por, si duket, Ali Ahmeti dhe Hashim Thaçi e kanë harruar. Përderisa Thaçi thoshte se nuk janë “djemosha problematikë” ai dhe Vuçiçi (lexo Miloseviqi), Ahmeti takohet me atë në Ohër dhe ngulin sytë në një pusë, sikur deshën të shohin në ujin e pusit fatin e tyre në politikë. Protesta, apo demonstrata, sic tha Ahmeti, nuk pati jehonë në mediat maqedonase aq shumë. Pak i dhanë hapësirë dhe më shumë duke keqpërkthyer fjalimet e duke u ankuar se në trafik u krijua rrëmujë.

Edhe adresimi për përfaqësitë diplomatike ta dëgjojnë zërin e protestës has në vesh të shurdhër. Diplomatët tashmë janë në vendet e tyre. Mickovski u zemërua nga VLEN-it pse përkrahi protestën. Priste nga Mexhiti që komuna të bëjë obstruksione e me këtë të thellojë ndasitë ndër shqiptarët.

Paraqitja e Azgan Haklajt e vajzës së Nuri Mazarit!? Më së miri e dinë organizatorët e protestës!

sqShqip