May 9, 2024
Maqedoni

Mërgimtari shqiptar në Amerikë: Pasi u takua me Ahmetin, Çitaku do të takohet me Vuçiqin!

Ish ministrja kosovare Vlora Çitaku ka gëzuar tej mase simpatizuesit e BDI-së, më publikimin e fotografisë së përbashkët me kryetarin e kësaj partie, Ali Ahmeti, ku e quan prijës të shqiptarëve.

Mirëpo ky postim i saj në rrjetet sociale është pritur në “thumb” tek opinioni i pavarur dhe ai opozitar tek shqiparët e Maqedonisë, si ata që jetojnë në vendlindje, poashtu edhe në diasporë.

Mes tyre ka reaguar edhe veprimtari dibran Ylber Pilku, që jeton dhe vepron në Nju Jork, i njohur për lidhjet e tij me politikanë të fuqishëm në SHBA.

Duke komentuar postimin e Çitakut, Pilku ka vlerësuar se ajo pas takimit me Ahmetin ndoshta është takuar edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

“Ose e ka takuar edhe Vuçiqin, ose pas takimit me Ahmetin do ta takojë Vuçiqin, sepse e ka amanet nga Hashim Thaçi dhe Edi Rama. Ju lumtë ‘zonjushë’ që po e ruani vllazninë e vjetër Rama, Ahmeti e Thaçi me ‘brate’ Vuçiqin”, ka komentuar veprimtari Pilku, ndryshe kritikues i ashpër i projektit “Open Ballkan” të udhëhequr nga Serbia.

Paraprakisht ka reaguar edhe Arben Fetai nga Aleanca për Shqiptarët, duke e vlerësuar postimin e Çitakut si ofendues për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

“Shqiptarët e Maqedonisë nuk janë as fis as vasalë, edhe pse njeriu në foto i ka të gjitha tiparet e feudalit. Me këtë logjikë mesjetare, Albin Kurti na qenka jo kryeministër e kryetar partie, por monark absolut i shqiptarëve të Kosovës”, ka reaguar Fetau, duke i dhënë edhe një këshillë ish ministres kosovare:
“Mos Vlora, je më e mençur se kaq”!