Etem Xheladini
Vëllezër dhe miq të dashur, kudo në trojet shqiptare, mërgimtarëve ju uroj pushime të këndshme.
Kohët e fundit, e sidomos në vitet pas luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1998–2000–2001), është shfaqur dhe po ushqehet publikisht një fenomen i rrezikshëm, një mllef i organizuar, i verbër dhe i qëllimshëm kundër mërgimtarëve shqiptarë.
Ky mllef nuk buron nga padituria e rastësishme, por nga qarqe dhe individë që sot kanë zënë hapësira në portale, televizione dhe studio debati, duke u shndërruar në gjykatës të rremë të historisë sonë të afërt. Ironia është e rëndë, shumë prej këtyre zërave, ose familjet e tyre, dje janë ushqyer nga buka e mërgatës shqiptare, mërgatës më të organizuar kombëtarisht që ka njohur ndonjëherë populli shqiptar.
Është pikërisht kjo mërgatë që, për pes dekada me radhë, jo vetëm mbajti gjallë familjet e veta, por financoi rezistencën kombëtare, mbështeti arsimin shqip, mbrojti çështjen shqiptare në kancelaritë perëndimore dhe krijoi bazën ekonomike e politike pa të cilën shumë procese historike nuk do të ishin të mundshme. Sot, ndaj kësaj mërgate hidhen fyerje, përbuzje dhe etiketime poshtëruese, pa asnjë ndjenjë përgjegjësie morale apo kombëtare.
Duhet thënë qartë: askush nuk largohet nga atdheu nga qejfi. Askush nuk e braktis familjen, gjuhën dhe vendlindjen pa pasur një arsye të rëndë. Shumica dërrmuese e mërgimtarëve shqiptarë u detyruan të largohen nga përndjekjet e pushteteve moniste, nga represioni politik, ekonomik dhe kombëtar, vetëm sepse kërkonin liri, barazi dhe të drejta elementare për shqiptarët në trojet e tyre.
Fyerjet që sot dëgjohen nga disa të vetëshpallur “analistë”, të cilët i quajnë mërgimtarët “gërrnaça”, të padijshëm apo barrë për shoqërinë, nuk janë thjesht ofendime individuale. Ato janë sulm i drejtpërdrejtë ndaj një shtylle themelore të kombit shqiptar. Janë fyerje ndaj njerëzve që për më shumë se pesë dekada kanë mbajtur mbi supe barrën e mbijetesës ekonomike të familjeve të tëra dhe kanë investuar miliarda në vendlindje, shpesh pa asnjë mbështetje institucionale.
Ka ardhur koha që kjo padrejtësi të marrë fund. Ka ardhur koha që shoqëria shqiptare, sidomos ajo rezidente në trojet shqiptare, të reagojë qartë dhe me dinjitet. Ka përfunduar epoka kur argatët e mendësive të huaja fshiheshin pas gjuhës shqipe, ndërsa mendonin dhe vepronin kundër interesit kombëtar. Nuk mund të ketë më heshtje përballë atyre që, me vetëdije ose pa të, relativizojnë sakrificën e mërgatës dhe i shërbejnë narrativave që historikisht kanë dëmtuar çështjen shqiptare.
Mërgimtarët kanë qenë dhe mbeten faktor vendimtar në momentet më të vështira të historisë sonë moderne. Me përkushtimin, organizimin dhe sakrificën e tyre, ata ua kanë prishur planet armiqve të popullit shqiptar dhe kanë mbështetur çdo përpjekje për liri, dinjitet dhe shtetësi. Kjo është një e vërtetë historike që nuk mund të fshihet nga asnjë studio televizive dhe asnjë portal i porositur.
Mërgimtarë, ju nuk jeni mysafirë në historinë shqiptare. Ju jeni pjesë përbërëse e saj. Ju jeni pjesë e jetës sonë përgjithmonë, për aq kohë sa ekziston kjo botë dhe ky komb.

