Fjalët e para pas fitores të Mendi Qyrës, kryetarit të ri të Komunës së Strugës, janë një reflektim i emocionit, mirënjohjes dhe vendosmërisë për ndryshim.

Në një reagim publik, Qyra thekson se ajo që nisi si një ëndërr e një grupi të vogël të rinjsh të guximshëm, u shndërrua në një lëvizje qytetare që solli fitoren e shumëpritur në Strugë pas dy dekadash.

“Ata s’kishin pushtet, por kishin zemër. Dhe Struga fitoi! Ajo që nisi si një ëndërr, u shndërrua në një lëvizje. Një grup i vogël njerëzish, të rinj, të guximshëm dhe pa përvojë politike, por me shumë dashuri për qytetin, sollën ndryshimin që Struga e priste prej dy dekadash,” – shkruan Qyra.

Ai nënvizon se kjo nuk ishte një fushatë politike, por një lëvizje njerëzore, një valë shprese që u rrit dita-ditës deri sa u kthye në një forcë të pakthyeshme.

“Kjo fitore është dëshmia më e bukur se kur bashkohen ideja, besimi, vullneti për punë dhe dashuria për vendin, edhe e pamundura bëhet e mundur,” – shton ai.

Qyra shpreh falënderim për të gjithë qytetarët që besuan në ndryshim dhe paralajmëron se krenaria, shpresa dhe përgjegjësia do të jenë udhërrëfyesit e administratës së re komunale në rrugën për ta bërë Strugën një qytet më funksional, më të zhvilluar, më të pastër dhe me më shumë mundësi për të gjithë.

Ai publikoi edhe disa foto nga rrugëtimi elektoral, duke ftuar qytetarët që të ndajnë momentet e tyre të preferuara nga kjo fitore që, siç shkruan ai, “do të mbetet gjatë në kujtesën e Strugës”.

sqShqip