Kryeministrja e Italisë, Xhorxhia Meloni, pritet të kyçet në afrimin e qëndrimeve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, njoftojnë burime diplomatike në Shkup. Duke folur për portalin Lideri.mk, ata shprehen optimistë se kyçja ditekte e Melonit do t’i japë një impuls pozitiv afrimit të qëndrimeve mes Shkupit dhe Sofjes në funksion të gjetjes së gjuhës së përbashkët dhe tejkalim të çështjes që po bllokon fillimin e negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
“Meloni është figurë ideale për të afruar qëndrimet mes RMV-së dhe Bullgarisë. Ajo është figurë e fuqishme në BE, por edhe një nga aleatët kryesorë amerikanë për momentin në Evropë”, kanë thënë këto burime për Lideri.mk, duke sqaruar se ku e bazojnë optimizmin e tyre për tejkalim të dallimeve Shkup-Sofje në rast të kyçjes së kryeministres italiane, duke shtuar më tej se nuk bëhet fjalë për ndërmjetësim klasik mes dy palëve, por për kyçje me qëllim të avancimit të çështjeve të ngecura.
Këtë informacion në brifingun e ditës së premte me gazetarët në mënyrë indirekte e ka konfirmuar deri diku edhe kryeministri Hristijan Mickoski.
“Pres lëvizje pozitive me Bullgarinë në fillim të vitit të ardhshëm. Kemi biseduar në këtë temë edhe me kryeministrin e një prej tre vendeve më të mëdha të BE-së”, tha Mickoski. Ai nuk ka përmendur as emrin e vendit në fjalë, por dihet qartë se fuqi e tretë evropiane pas Gjermanisë e Francës kknsiderohet Italia.