Mediat propagandistike pranë qeverisë në Beograd, të lidhura me Aleksandar Vuçiçin, sot e drejtuan makinerinë e tyre propagandistike drejt Maqedonisë dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Timço Mucunski.

Arsyeja e sulmeve ishte një deklaratë publike e Mucunskit, tranmseton Lideri.mk, në të cilën ai shprehu mbështetje për vendimin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump në lidhje me ndalimin e udhëheqësit venezuelian Nicolas Maduro, si dhe lëvdata për rolin e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së Marco Rubio në, siç deklaroi ai, luftën kundër rrjeteve kriminale të drogës të lidhura me regjimin në Karakas.

Në deklaratën e tij, Mucunski tha se përgjegjësia është çelësi dhe se Maqedonia qëndron në anën e SHBA-së dhe popullit venezuelian në luftën për liri dhe demokraci.

Mediat e Beogradit kritikojnë në artikujt e tyre se ky qëndrim i ministrit maqedonas përfaqëson, siç deklarojnë ata, “bindje të verbër” ndaj Uashingtonit dhe Brukselit, ndërsa e akuzojnë atë për injorimin e çështjeve të sovranitetit shtetëror dhe të drejtës ndërkombëtare.

Artikujt pretendojnë se Maqedonia ndjek pa rezerva politikat e qendrave perëndimore të pushtetit dhe se në këtë rast të veçantë ndërhyrja amerikane trajtohet si legjitime, pavarësisht, sipas mendimit të tyre, mënyrës kontraverse të zbatimit të saj.

Artikujt nuk kursejnë fjalë me fyerjet më të ulëta. Kështu, portali i Beogradit Informer e quan Ministrin e Jashtëm maqedonas një “mjerani i Maqedonisë së Veriut” në titull, dhe Maqedoninë një “Banana Shtet”.

Ky fjalor të kujton fjalorin me të cilin disa struktura politike maqedonase komentojnë qëndrimin e diplomacisë maqedonase, në njoftime për shtyp dhe postime në rrjetet sociale.

sqShqip