Me rastin e 49 vjetorit të Gjuhës sonë letrare
Shkruan: Bexhet Asani, New Jersey
MË 25 NËTOR TË VITI 1972, NË TIRANË PËRFUNDOI PUNIMET KONGRESI I DREJTSHKRIMIT
Në shekullin e njëzetë që lam pas, mund të shënohen vetëm dy ngjarje të mëdha historike: Kongresi i Manastirit dhe Kongresi i drejtshkrimit. Intelektualët e mëdhenj të Kongresit të Manastirit përveç halleve të mëdha që kishin me unifikimin e alfabetit ata ishin tepër largpamës që atëherë hodhën idenë për unifikimin e gjuhës shqipe. Për unifikimin e Gjuhës letrare shqipe kanë merita edhe shqiptarët e Maqedonisë (që llogaritet se mund të jenë tani afër njëmilionë). Ishte gazeta “ Flaka e vëllazërimit” e para që vuri në praktikë Gjuhën letrare shqipe, shumë vjet më parë se të mbahej Kongresi i drejtshkrimit në Tiranë më 1972.
Për nder të gjashtëdhjetë vjetorit të Kongresit të Manastirit më 1968 u ngrit pllaka përkujtimore te restoranti i Themistokli Gërmenjit, aty ku u mbajtën mbledhjet plenare të Kongresit me këtë rast shkrimtari i njohur maqedonas Vlado Maleski, njëherit dhe njohës i mirë i çështjes shqiptare tha:
“….Jetojmë afër njëri tjetrit. Jetojmë rrëzë malit e buzë detit. Jetojmë me vizionin për një të ardhme më të bukur, me kujtime të bukura për të kaluarën. Një kujtim i tillë është edhe kjo pllakë e mermerit, të cilën po e inaugurojmë në emër të Këshillit republikan për kremtimin e këtij jubileu. E mermeri nuk thyhet lehtë “.
E ka thënë bukur. Ky mendim i artë i Vlado Maleskit vlen edhe për Kongresin e drejtshkrimit: “E mermeri nuk thyhet lehtë!”
Katër vjet më vonë , pikërisht në nëtor të vitit 1972 në Tiranë u mbajt Kongresi i drejtshkrimit, i cili nuk ishte asgjë tjetër përveçse vazhdimësi e Kongresit të Manastirit. Në qoftë se mund t’i referohem thënies së bukur të shkrimtarit Vlado Maleskit: “e mermeri nuk thyhet lehtë”, atëherë Kongresit të drejtshkrimit i është vënë pllaka e granitit e cila nuk mund të thyhet lehtë. Kongresi i Manastirit si dhe Kongresi i Tiranës janë Kongrese gjithëkombëtare. Që të dy Kongreset janë mbajtur në muajin nëntor, në muajin e festave, kështu që të dy Kongreset e kanë kryer me sukses misionin e madh historik e kombëtar.
Profesor Zeqirja Neziri nga Shkupi deklaron: “Kur panë autoritetet e Beogradit seriozitetin e shqiptarëve për unifikimin e gjuhës shqipe, atëherë reaguan nëpërmjet Komitetit Qendror të Maqedonisë e pastaj Lidhja Socialiste e Popullit Punonjës të Maqedonisë kërkoi një raport në lidhje me gjuhën letrare shqipe nga prof. Petro Janura, për të themeluar një gjuhë letrare për shqiptarët e ish Jugosllavisë.
Profesor Petro Janura kur pa qëllimet djallëzore të Beogradit, nuk pranoi në asnjë mënyrë. Ai përgatiti një raport prej pesëdhetë faqesh, në të cilin raport me argumente shkencore e arsyetonte pse shqiptarët duhet të kenë një Gjuhë letrare”.
Nismës së “Flakës së vëllazërimit” për unifikimin e Gjuhës shqipe i parapriu Konsulta e Prishtinës në vitin 1968.
Me Konsultën e Prishtinës, po e theksoj edhe njëherë në mes të gegërisë, tanimë ishte trasuar rruga për mbajtjen e një Kongresi ku vetëm se do të bëhej AMINI dhe kjo ndodhi në nëntor të vitit 1972 në Tiranë. E themi me bindje të plotë se çdo Kongres tjetër për Drejtshkrimin e Gjuhës shqipe do të dështojë më keq se Kongresi i Dibrës, Kongresi i Elbasanit dhe Kongresi i Janinës.Themelet e Gjuhës së sotme letrare u vunë në zemër të gegërishtes nga studiues e gjuhëtarë të mirëfilltë të gjuhës shqipe. Në Kongresin e drejtshkrimit në Tiranë nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi morën pjesë këta delegatë: Idriz Ajeti, Rexhep Qosja, Remzi Nesimi, Ajet Bytyçi, Besim Bokshi, Isa Bajçinca, Ismail Bajra, Ismail Doda, Petro Janura, dhe Sefedin Sulejmani.
Profesor Idriz Ajeti, si njeri që mbante mbi supe peshën e robërisë, ai e dinte sesa vlerë ka për një komb gjuha letrare, përveç rrojtjes së tij mbi një shekull ai do të mbahet mend edhe për thënien e tij të famshme e me peshë kombëtare:
“Gjuha letrare s’ është vetëm thesari i kulturës sonë, por mjet i fortë për mbrojtjen e etnisë shqiptare!”
Themelet e gjuhës së sotme shqipe u vunë në qytetin e Shkupit dhe të Prishtinës, në zemër të gegërisë, e jo në Tiranë apo në Gjirokastër, si mundohen disa ta paraqesin si “gjuha e Enverit”, këtë mund ta bëjnë vetëm pseudoshkencëtarët, atë që s’ mundi ta bënte politika e Beogradit ja po e bëjnë sot argatët e saj, xhonturqit shqiptarë pa marrë parasysh myslimanë apo të krishterë qofshin ata. Sot mund të deklarojmë dhe mund të krenohemi se u bë realitet ëndrra e delegatëve të Manastirit për Unifikimin e Gjuhës shqipe. Pra, siç e shikoni peripecitë po e ndjekin shqipen tonë hyjnore hap pas hapi. Asnjë pseudoshkencëtar nuk do të mund t’ ia dalë dot të përçajë më popullin shqiptar dhe gjuhën e tij hyjnore.
Muaji nëntor është muaji i dy Kongreseve, që të dy Kongreset kanë hyrë në historinë e gjuhës shqipe si ngjarjet më të mëdha të shekullit të njëzetë, të cilët janë mbështetur thellë në tabanin kombëtar.