Mësuesi i diasporës, Vaxhid Sejdiu, promovoi librin “Shkolla shqipe në kantonin e St.Gallen, vatër e bashkimit kombëtar”

Dje, në Watwil të kantonit të St.Gallen u bë promovimi i librit të mësuesit dhe veprimtarit të shquar Dr.Vaxhid Sejdiu me titull “Shkolla shqipe në kantonin e St.Gallen, vatër e bashkimit kombëtar”. Në këtë veprimtari merrnin pjesë mësues, nxënës, aktivistë e bashkatdhetarë. I pranishëm ishte dhe ambasadori i RSH në Bernë I. Gjoni.

Ky botim ka vlerë si didaktike ashtu dhe do të shërbejë si një historik orientues për kontribute mësuesish në kohë, për bashkimin e shqiptarëve tek institucioni i arsimimit dhe i njohjes së gjuhës shqipe nga breza fëmijësh nëpër dekada. Vlerësimi i autorit të këtij libri bëhet edhe më i madh, kur njihesh me dashurinë dhe pasionin e tij për misionin e shenjtë të arsimdashjes dhe të këmbënguljes për tre dekada rresht për mësimin e nxënësve të Diasporës.

Vepra të tilla hyjnë në vlerat e njerëzve të arsimit tonë kombëtar nëpër botë, por veçanërisht aty ku bashkohen fëmijët e kombit tonë të ardhur nga vise të ndryshme.