Me rastin e 113 vjetorit të Postës Shqiptare MEHMET PILKU, DIBRANI QË VURI GURTHEMELIN E POSTËS SHQIPTARE
Nga Fatos Daci, Mjeshtër i Madh
Historiku i Postës Shqiptare fillon më 5 dhjetor 1912, kur Qeveria e Përtashme(Përkohshme) e Ismail Qemalit, një javë pas shpalljes së pavarësisë dhe ngritjes së institucioneve shtetërore, më 5 dhjetor 1912, ngriti ministrinë e veçantë të Postës, me ministër Lef Nosin. Kjo flet për rëndësinë që kishte ky sektor jetik për atë kohë, ndërsa më 5 maj 1913, vihet në qarkullin pulla e parë postare. Në Luftën e parë Botërore, ky shërbim u ndërpre dhe rinisi me vendim të Qeverisë së Lushnjës, por themelet e vërteta të këtij shërbimi u vunë në vitet 1923-1933, kur Posta Shqiptare, Postë-Telegrafa, drejtohej me kompetencë e ndershmëri nga dibrani Mehmet Pilku, një dekadë të tërë. Gjatë kësaj kohe, u ristrukturuan degët e pakta ekzistuese në qarqe dhe u krijuan degë të reja të shërbimit postar në çdo nënprekturë dhe prefekturë . U krijua Drejtoria e Përgjithshme e Postave me një drejtor të përgjithshëm, e cila njësohej me një ministri sa u përket fondeve dhe numrit të punonjësve dhe drejtori ishte njësoj si ministri. Gjatë këtij 10 vjetëshi shërbimi postar hyri në rrugën e suksesit dhe të plotësimit të nevojave të shqiptarëve. Drejtori i përgjithshëm nderohej e respektohej për punën e palodhur dhe të suksesshme që bënte. As buxheti i kësaj drejtorie e as drejtori i saj i përgjithshëm nuk ishin kompetencë e ministrisë dhe ministrit të Punëve Botore. Drejtori ishte nomenklaturë e Këshillit Ministror.
Para se të flasim për jetën dhe veprimtarine e shquar të Drejtorit të Përgjithshëm të Postës Shqiptare, të te ndjerit Mehmet Pilku, e shohim me vend të bëjmë një rezyme të shkurtër të fisit Pilku të Dibrës së Madhe.
Pilket e Dibrës, banorët e hershëm të Tiranës, të gjithë brezat apo grupmoshat e tij, në të gjitha regjimet dhe qeverisjet, janë me rrënjë të thella në histori, personalitete me ndikim në komunitet, që kanë dhënë kontribute patriotike, pushtetare të rëndësishëm, të dalluar secili në fushën e tij, burra që kanë nderuar Dibrën dhe atdheun e tyre, Shqipërinë. Janë fis burrash me autoritet, me nder e me lavdi, fis sojnik, me qibër e me sedër.
Mahmut, Mehmet, Sadik, Ramiz, Nazif dhe Sali Pilku, të gjashtë vëllezërit, ishin pjesëmarrës në Kongresin e alfabetit në Manastir,më 1908.
Personalitet me rëndësi kombëtare ishte Mehmet Pilku, ky burrë të pushtetshëm, i shkolluar e me autoritet, i cili është gurthemeli i postës shqiptare për një dekadë, deputet në parlamentin shqiptar të para 1939-ës, dhe nënprefekt në Pukë dhe Milot etj..
Mahmut Pilku, fillimisht, ka shërbyer në garnizonin osman të vilajetit të Manastirit me gradën e majorit.
Arsllani, u emërua në garnizonin e Prizrenit, me gradën e kapitenit (jyzbashit).
Shaqiri u arsimua në Shkup dhe Stamboll, ku kreu arsimin e lartë për financa.
Halimi, ishte mësues dhe drejtor i medresesë, psikolog i shquar.
Sali Pilku, ishte drejtor i postës së Tiranës në vitet 1925-1939.
Inxhinier Njazi Pilku, qe drejtori i zyrës së punëve botore në Durrës, anëtar i konsultës bashkiake të Tiranës,
Adem Pilku ka punuar si kopist she arshivist në Ministrinë e Punëve Botore, sekretar i Përgjithshëm i kësaj ministrie, sekretar e sekretar i përgjithshëm i nënprefekturës së Tetovës dhe zëvendës nënprefekt i saj.
Jashar Arsllan Pilku, ishte xhandar, magazinier e kryemagazinier i nozullimeve.
Hysen H. Pilku, qe kryetar i Uzinës dhe Magazinës Qendrore në Durrës dhe nëpunës në zyrën e Punëve Botore, Shkodër,
Naim Pilku, ishte “Babai” i koshit të basketbollit.
Nexhat Pilku, ishte diplomat karriere-ambasador.
Muhsin Pilku ishte “Mjeshtër në fushën e elektricitetit”, titull i akorduar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë.
Adnan Pilku, ishte pedagog i korpusit universitar dhe Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit.
Qenan Pilku, qe specialist i kualifikuar i projekteve ndërtimore të rëndësishme.
Familja Pilku (Njazi dhe Liza), është dekoruar me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” nga presidenti i Republikës.
Ylber Pilku,është biznesmen i suksesshëm.
Ilir Pilku punon pranë një institucioni me emër USAID në Tiranë.
Ortenca Pilku, drejtoreshë e suksesshme në shkollat e mesme të Tiranës.
Në këtë taban fisnor të shquar, në një mjedis plot vlera e me taban të shëndosh në Dibrën e një mijë e një vlerave patriotike, atdhetare, arsimore, kuturore etj. lindi, u rrit dhe u edukua Mehmet Pilku, i cili dhe u mëkua me ndershmërinë, kompetencën, seriotitetin, autoritetin e përkushtimin, një jetë nëpunës dhe drejtor i postë telegrafave, deputet dhe personalitet me vlera të larta, të çmuara nga komuniteti dhe entet shtetërore, me përvojë të gjatë në nëpunësi dhe drejtim, i lidhur ngushtë me njerëzit dhe politikën bashkëkohore, nderi dhe krenaria jo vetëm e Dibrës së tij.
U lind në Dibër, më 1870. Kishte kryer shkollën qytetëse, shkollën e posaçme në fizikë, këndim, matematikë, elektricitet etj. Fliste dhe shkruante turqisht e frëngjisht, fliste gjermanisht, si dhe fliste pak italisht e sllavisht. Ka punuar si telegrafist në Shkup, më 1891-1892, me rrogë 500 grosh, kryenëpunës në Zibefas, drejtor në Superli 1894-1902, kryenëpunës poste në Selanik (1903-1905), drejtor i Telegrafës internacionale në Selanik (1907-1909), inspektor telegrafe në Selanik, inspektor telegrafe në Vlorë (1913-1914), drejtor i Përgjithshëm i P.😭. Durrës (1914), nënprefekt në Pukë (1915-1918). Më 19.8.1919, ishte nënprefekt i Milotit dhe me një cilësi të tillë ka firmosur dhe një shkresë për Sulejman Kaloshin. Këshilltar në PTT, Durrës ishte më 1919. Në Tetor 1922, u zgjodh deputet i Dibrës në Parlamentin shqiptar së bashku me Sali Vuçiternin, Fasli Frashërin, Abdyl Sulën, Fiqri Rusin e Rexhep Matin. Ishte këshilltar në Drejtorinë e Përgjithshme të Postë-Telegrafave në Tiranë dhe me vendimin e Këshillit Ministror nr.605, datë 24.11.1923, me aprovim të Këshillit të Naltë nr.369, datë 3.12.1923, u emërua rishtas drejtor i Përgjithshëm i Postë-Telegrafës dhe prej datës 2 të këtij muaji (pra, më 2 dhjetor 1923) hyni në ushtrim të funksioneve të veta, detyrë të cilën e kreu deri më 21 mars 1933, kur dha dorëheqjen.
Periudha 1915-1919, kur ai ishte nënprefekt në Pukë dhe në Milot, i takon asaj kohe kur qeveritë shqiptare, të emëruar me emra nga më të çuditshmit, si e atij kryeministri e këtij kryeministri, e Delegacionit të Durrësit, e pushtuesve austriakë, e pushtuesve serbë e bullgarë paraqisnin shumë vështirësi. Këto vështirësi i provoi mbi kurrizin tij edhe Mehmet Pilku, ashtu si dhe të gjithë bashkëkohësit e tjerë të tij.
Detyrën e deputetit i takoi ta kryente në një kohë të vështirë, me probleme të forta sociale, ekonomike e politike, sepse atëherë, në vitin 1922, shteti shqiptar i sapo dalë nga Kongresi i Lushnjes , kishte përballë probleme të shumta e të vështira për të zgjidhur, vetë shteti me të gjithë instancat e nivelet e tij ishte në hapat e parë dhe në ngritje, ç’ka kuadro e deputetë i vinte përballë pengesave dhe vështirësive të panumërta. Detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Postë -Telegrafës ishte një detyrë e lartë dhe me përgjegjësi, por zoti Mehmet Pilku i kishte njohuritë dhe kapacitet për ta kryer më së miri dhe me lavdërime këtë detyrë, e cila, njëkohësisht ishte dhe e vështirë, sepse ai drejtonte punën e 400 nëpunësve, në të gjithë zyrat e postave telegrafave në prefektura e nënprefektura, si dhe në drejtorinë e Zyrës Qendrore në Tiranë dhe në ata të Drejtorisë së Përgjithshme.
Por, njohuritë që kishte marrë në shkolla e universitete jashtë e brenda vendit, përvoja e gjatë në administratën e perandorisë osmane, e cila kishte eksperience mbi 500 vjeçare në drejtimin e punëve të shtetit, ia lehtësonte sadopak punën. Ai, me përvojën dhe praktikën që kishte fituar, me pjekurinë e tij si drejtues e si intelektual dhe më moshën e pjekur që kishte, Mehmet Pilku dinte të kapërcente dhe situata të vështira që krijoheshin në administratën e në punën e tij, por dinte të përballonte, madje të sfidonte dhe keqdashjet dhe pengesat e subjektive që i nxirrnin nëpunës e drejtues të ndryshëm të shtetit, nga ministra e deri tek specialistët e thjeshtë. Në karakterin e tij, Mehmet Pilkut njihej për orientimin e tij orientalist, sepse andej ai ishte formuar si intelektual dhe si kuadër, por shquhej dhe për frymën e oportunitetit dhe të tolerancës, për pjekurinë e maturinë e tij, prej një burri të sprovuar e një drejtuesi me autoritet e karakter të fortë.
I ndershmi dhe përkushtuari, shpeshherë, nuk shihen me sy të mirë nga smirëxhinjtë, kaqshakeqtë, nga ata që i bëjnë bisht punës. Në një intervistë, ish kryetelegrafist i Zyrës së Tiranës, hidhte akuza të pavërteta për Drejtorin e Përgjithshëm, z.Mehmet Pilku, i cili kishte nën administrimin e tij 400 nëpunës të kësaj drejtorie të madhe, me degë në të gjithë vendin.
Por, për z.Mehmet Pilku të shumta janë falenderimet publike, edhe në gazetat e kohës.
Sukseset dhe meritat e tij në drejtimin e punëve të mëdha dhe të vështira të shërbimit postar e telegrafik të asaj kohe ishin të dukshme dhe të prekshme jo vetëm nga shqiptarët, por dhe nga përfaqësitë e huaja në Shqipëri.
Një dëshmi e kësaj njohje dhe vlerësimi është se zoti Dino Grandi-Nënministër i Punëve të Jashtme të Italisë e ftoi zotin Pilku, në një pritje në legatën Italiane në Tiranë dhe e dekoroi me urdhrin Grand Oficerr (Oficer i Madh) bashkë me pak nëpunës të tjerë të lartë të shtetit shqiptar.
Njoftimin e parë për dorëheqjen e tij e jep Gazeta “Vullneti i Popullit”, më 26.9.1930, e cila njofton zyrtarisht se z.Mehmet Pilku dha dorëheqjen nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Postave.
Nëse në këtë njoftim thuhet, se nuk dihen ende shkaqet e dorëheqjes, në ditët pas ardhëse kjo gazetë dhe gazeta tjetër “Rilindja e Arbërisë”, në disa numra të tyre, ndriçojnë për publikun të vërtetat e asaj dorëheqje të parevekueshme.
Kështu, gazeta “Vullneti” e dy ditëve më pas, në nr. 112, datë 29.9.1930, në faqen 1 boton një shkrim të posaçëm kushtuar arsyes së dorëheqjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Postë-Telegrafave, z.Mehmet Pilku, në të cilin shkruan:
“ …U informuam se të gjithë nëpunësit e Postë-Telegrafave në qendër e në qarqe të Mbretërisë, i kanë drejtuar më 26 të këtij muaji Kryeministrisë telegrame, ku shfaqnin hidhërimin e tyre për dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm, z.Mehmet Pilku dhe lusin Këshillin Ministror të mos e pranojë dorëheqjen.
… Protestat e telegrafave thanë, gati të gjitha, se nëpunësit e Postë-Telegrafave kanë qenë shumë të kënaqur nga administrimi i naltë i drejtorit të tyre. “
Siç duket në këtë kronikë. Zoti Pilku gëzonte simpatinë dhe respektin e të gjithë vartësve të tij, ç’ka vërteton se ai ishte një kuadër masovik, i dashur dhe i nderuar prej vartësve të vet. Kjo gjë të mbush me krenari për një burrë dibre si zoti Mehmet Pilku.
Dy ditë më pas, gazeta te rubrika “Ngjarje komente” boton artikullin “Z.Mehmet Pilku”, ku shkruhet: “Do të ndodhin ndofta këndonjës me shpirt të ri që do t’a quajnë kurioz fjalët e mira që do të shkruajmë sot për z.Mehmet Pilku… pse zoti Pilku ka pikërisht mentalitetin që luftojmë na: asht oriental i thellë, është oportunist mjaft i madh.
…Në çështjen e dorëheqjes së z.Pilku, e drejta na duket se asht në anën e tij….Pra, asgjë s’mund të këshillojmë pranimin e kësaj dorëheqje me të cilën zoti Pilku është lartësuar pse ka mbrojtur dinjitetin e tij e të ofiqit të tij, gjë që s’e prisnim nga një ish nëpunës i Turqisë.
E dyta, z.Pilku është rrethuar më shumë përgëzime. Nuk zotëron njerëz të zotë kudo. Dhe me gjithë këto pengime, aktiviteti dhe energjia e z.Pilku e ka vënë në vijë këtë shërbim, i cili, lypset t’a theksojmë, është shumë më i lartë se përmetojnë mjetet që ka.
Ky është suksesi i zotit Pilku.
Siç shihet, puna e zotit Pilku si Drejtori i Përgjithshëm i Postë-Telegrafave konsiderohet e vlerësohet si energjike, frytdhënëse dhe e lavdërueshme.
Më datën 7.10.1930, kjo gazetë, në faqen 2, te rubrika “Ngjarje e komente” boton përsëri shkrimin “Z.Pilku”, ku , ndër të tjera, shkruhet: “ Kemi marrë telegrafa e letra nga nëpunësit e Postë-Telegrafave të qarqeve, me të cilat këto i luten qeverisë që të mos pranojë dorëheqjen e zotit Pilku.
… dhe thuaj se gjithë bota e di se z.Pilku është një superior i adhuruar, që është një virtyt i rrallë. …abstenohemi nga botimi i telegrameve e letrave që na kanë ardhur, edhe u themi të jenë të qetë, pse interesi i shërbimit postë-telegrafik e lyp që ata ta kenë për shumë kohë akoma z.Pilku si drejtor të tyre. Dhe do ta kenë, n’ është se kemi një qeveri me logjikë në kokë.”
Por, me sa shihet nga këto analiza e komente, dorëheqja e zotit Pilku nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Postë-Telegrafave të Shqipërisë, është i pa negociueshëm, i pakthyeshëm mbrapshtë. Kuptohet se lënia e postit nga zoti Mehmet Pilku do të ishte e pashmangshme dhe kjo do të ndodhte shpejt, në ditët në vijim. Këtë përfundim e vërteton edhe një numër tjetër i gazetës ”Rilindja e Arbënisë”, ku shkruhet: “ … pas informatave që ka pasur “Vullneti” (gazeta) dhe pas informatave që patëm pastaj edhe ne, dorëheqja e zotit Pilku do të pranohet e në vend të tij do të emërohet z.Sadik Tirana, tani Inspektor i Përgjithshëm i Postë-Telegrafave.
Kur do të pranohet dorëheqja e zotit Pilku, kjo nuk dihet akoma, por, sipas informatave, zoti Pilku do të rri edhe pak kohë akoma…”
Por, nuk ishte kështu. Këshilli Ministror nuk e pranoi dorëheqjen e Mehmet Pilkut. Për këtë shkak Mehmet Pilku e drejtoi Postë-Telegrafën shqiptare afër edhe tri vite të tjera, deri më 21 mars 1933.
Këtë gjë e konfirmon edhe gazeta “Vatra, e datës 21 mars 1933, ku shkruhet: Veterani i Postë-Telegrafave, z.Mehmet Pilku, u nxuar në pension edhe në vendin e tij, si drejtoi i ri i Përgjithshëm i Postë-Telegrafës, u emërua Ndoc Naraçi. “
Artikulli, më poshtë, vazhdon: “Në çastin që zoti Pilku lë lamtumirën nga drejtori i administratës Postë-Telegrafës, të cilin e kishte për një kohë të gjatë dhe në periudhë kaq të vështirë, sa nga mungesa e personelit adapt, sa dhe nga një vobekësi e mjeteve në kohët e para, sidomos për të organizuar më mirë këtë administratë kaq delikate, le të vejë përshëndetja e jonë që besojmë se do të shoqërohet me këtë shprehje edhe këndonjësi ynë.”
Siç del edhe nga këto komente e vlerësime të gjata të këtyre dy gazetave të përditshme të atyre viteve, Mehmet Pilku u largua nga detyra e lartë i nderuar e i respektuar, i suksesshëm e plot arritje, i dashur dhe i vlerësuar nga të gjithë vartësit e tij, të cilët nuk ishin pak, por qindra.
Veprimtaria e spikatur dhe e gjatë e Mehmet Pilkut si drejtor i përgjithshëm i Postës Shqiptare ia ka rezervuar atij vend nderi, ndër drejtuesit e këtij shërbimi.