Kim Jong Un ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, duke deklaruar se “një raketë është e mjaftueshme për të zhdukur Izraelin” dhe duke shtuar se, nëse Irani kërkon ndihmë, Koreja e Veriut është e gatshme ta ofrojë atë.
Deklarata e fortë e liderit të Koresë së Veriut vjen në një moment tensionesh të larta mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit, duke rritur shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në rajon. Kim theksoi aftësitë shkatërruese të arsenalit bërthamor dhe balistik të vendit të tij, duke përdorur një retorikë të ngjashme me deklaratat e mëparshme kundër Perëndimit.
Vetëm dy javë më parë, gjatë një kongresi të madh të Partisë së Punëtorëve në Phenian, Kim kishte lënë të kuptohej për një hapje të mundshme ndaj dialogut me presidentin amerikan Donald Trump. Megjithatë, sulmet ndaj Iranit, një partner i kahershëm diplomatik dhe ushtarak i Koresë së Veriut duket se kanë nxitur një rishqyrtim të kësaj qasjeje.
Më 1 mars, më pak se 24 orë pas nisjes së sulmeve, Koreja e Veriut publikoi një deklaratë zyrtare përmes një zëdhënësi anonim të Ministrisë së Jashtme, duke i cilësuar sulmet e SHBA-së dhe Izraelit si akt agresioni të paligjshëm dhe “shkeljen më të neveritshme” të sovranitetit kombëtar. Në deklaratë thuhej se këto veprime ishin të parashikueshme për shkak të asaj që Pheniani e cilëson si qëndrim hegjemoni të SHBA-së në rajon, duke akuzuar Uashingtonin për rol gjithnjë e më shkatërrues ndaj paqes dhe stabilitetit global.
Pak orë më vonë, Kim Jong Un publikoi një deklaratë edhe më të ashpër, duke shprehur mbështetje të drejtpërdrejtë për Teheranin dhe duke thënë se Koreja e Veriut është e gatshme t’i ofrojë Iranit raketa për përdorim kundër Izraelit, nëse kjo kërkohet.

