May 17, 2024
Maqedoni

Më në fund arrin ilaçi për Florën! Ndan gëzimin me të gjithë ata që e ndihmuan

Flora nuk do të jetë më pacientja e rregullt në Klinikën për Sëmundje të fëmijëve. Sot e piu tabletën e parë të ilaçit Kalydeco. Në fytyrë i vërehen shenjat e para të kthesës së madhe në jetën e saj. Erdhi na vizitoi si redaksi dhe ajo që u vu re është se për herë të parë nuk e mbante me vete aparatin e oksigjenit.

“Shumë jam e gëzuar, tashmë që është siguruar terapia për një vit. Besoj se nuk do ta ndërpresin më. Jam shumë e emocionuar. Dhe s’e di si të shprehem, çfarë ndjenjash për momentin më vijnë nga brenda”, tha Flora Gashi.

Flora ka mbaruar mjekësinë dhe ëndrra e saj është të punojë si fizioterapiste. Është e lumtur që tashmë do të mund të zhvillojë aktivitete të ndryshme me moshataret e saj.

“Çdoherë kam pasur shumë qejf dhe kur i shihja njerëzit duke punuar, kisha dëshirë edhe unë të punoj. Ndoshta nuk do t’i kem këto mendime pasi të filloj të punoj. Ama në fillim dua që të jem mirë me shëndet të forcohem pastaj të filloj të punoj si fizioterapiste dhe pastaj nuk e di çfarë do të më sjellë jeta”, tha Gashi.

Flora shprehet se kontributi që kanë dhënë mediat e ka përshpejtuar ndjeshëm procesin e intervenimit të organeve kompetente për të siguruar ilaçin e shtrenjtë që i nevojitej asaj.

“Shumë ka ndikuar sidomos ju si Televizioni 21 keni bërë shumë për mua”, u shpreh Gashi.

Përveç se për Florën, ilaçi Kalydeco (Ivacaftor) u sigurua për dy paciente të tjera, Dragana Gjorgjievskan dhe Meral Zekirin. Ky ilaç është treguar mjaft efektiv për personat që vuajnë nga fibroza cistike./TV21